Tabaku: Në 12 vite qeverisje kemi parë lloj-lloj sajesash ministeriale por kurrë një ministri për diasporën
Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka analizuar turin që kryeministri Edi Rama nis nga nesër me diasporën, kjo me shqiptarët në Athinë. “Në 3 mandate nuk ka siguruar as të drejtën bazë të votës së diasporës dhe përfaqësimit politik të saj. Në 12 vite qeverisje kemi parë lloj-lloj sajesash ministeriale por kurrë një ministri për diasporën. Arsyeja? Shpërfillja! Pa folur më tej për angazhime reale në draftimin dhe angazhimin në abetare dhe shkollim për fëmijët e shqiptarëve”,-shkruan Tabaku.
Shkrimi i plotë
Diaspora jeton e punon me mendjen e zemrën në Shqipëri!
Shqipëria nuk mund t’i falë vetes shndërrimin e diasporës në një mizanskenë teatri për të rritur pikët e atyre që diasporën e kanë trajtuar si spektatore.
Dhe kjo pasi në 3 mandate nuk ka siguruar as të drejtën bazë të votës së diasporës dhe përfaqësimit politik të saj. Në 12 vite qeverisje kemi parë lloj-lloj sajesash ministeriale por kurrë një ministri për diasporën. Arsyeja? Shpërfillja! Pa folur më tej për angazhime reale në draftimin dhe angazhimin në abetare dhe shkollim për fëmijët e shqiptarëve.
Bashkëkombasit tanë meritojnë më shumë se sa një plate ku vëmendja nuk janë ato por kryeministri. Meritojnë një platformë ku ata janë në tavolinën e bashkëbisedimit dhe jo në karrigen e duartrokitësit.
Diaspora ka nevojë të diskutojë si mund të investojnë në Shqipëri, si vitet e tyre të sigurimit nuk kanë humbur po do marrin një pension të denjë si dhe çfarë roli ka dhe do ketë ajo në shtetin tonë, pasi kontributi diasporës historikisht ka qenë i çmuar!
Aq sa duhet diskutuar realisht se si mund të kontribuojë për të gjallëruar ekonominë që nuk po rritet. Dhe janë mundësi të humbura prej 11 vitesh për debate të tilla dhe sot nuk mund të përdoret sakrifica e tyre si flamur elektoral.
Diaspora është shpirti dhe copa e dytë e zemrës së Shqipërisë që prej rilindjes ku kontributi saj ka qenë jetik për kombin tonë. Ndaj ajo është më e rendësishme se sa tallja dhe përdorimi politik!