Përplasja vazhdon, Rama u përgjigjet pedagogëve: Ka mbaruar koha kur qeveria rriste pagat se kërkojnë Sindikatat
Përplasja mes qeverisë dhe trupës së pedagogëve duket se do të vijë duke u rritur.
Siç ka treguar deri me sot Rama nuk ka pranuar kurrë presion, bile kur e kanë para faktit të kryer, i rritet inati dhe nuk pranon.
Kryeministri Edi Rama sot në takimin me Rektorët e Universiteteve tha se koha kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniforme sepse këtë e kërkojnë Sindikatat, i ka ardhur fundi.
“Universitetet nuk janë gjimnaze, trupat pedagogjike nuk janë trupa të infermierëve apo punonjës policie. Janë trupa që mbahen vetëm me pagën e shtetit. Përgjithësisht, tani me reformën e autonomisë spitalore do të diferencohen edhe pagat e mjekëve. Universiteti është midis jetës përpara, pra është midis shtetit dhe tregut, por duhet ta ketë pjesë të ADN-së vet’thithjen e të ardhurave nga tregu. Të jetë aktor në treg dhe magnet për të thithur fonde nga të katër anët. Pra koha kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniforme se kërkojnë sindikatat ka mbaruar bashkë me Reformën e Arsimit të Lartë. Autonomia është liri dhe përgjegjësi. Është hera e fundit që bëjmë rritje page uniforme”, tha Rama gjatë takimit me rektorët e Universiteteve.
Ndërkohë Sindikata e pedagogëve të cilët janë në protestë për rritje page ka vendosur të vazhdojë mos fillimin e vitit të ri akademik, pavarësisht kërcënimit të kryeministrit sot.