Rama për premtimet e Berishës për pensionet: Një Sude del përnatë në katin e 8-të dhe premton duke mashtruar…

Kryeministri Rama po bën tur takimesh vetëm me pensionistët për ti sqaruar për programin e qeverisë në lidhje me rritjen e pensionëve, për menyrën se si dhe kur do të aplikohet. Ndaj ka nisur krejt ministrat dhe deputetët, edhe kryebashkiakët, për ti takuar pensionistët.

Në fakt pensionistët janë në masë dërmuese pro PS, por duke patur sulmin e opozitës me shifra që premtojnë se do të bëjnë namin, ndërkohë që nuk janë mundësitë reale, qeveria dhe PS janë kudo ku ka pensionistë.

Nga Korça, Kreu i Qeverisë tha se te pensionet nuk është si te pagat. “Sot kemi 705 mijë pensionistë, ndërsa në 2013-ën kishte 517 mijë. Në këtë pikëpamje kemi një rritje të fondit për pensionet. Kur ju dëgjoni për rritje pagash duhet të jeni të parët që duhet të gëzoheni, pasi nga një pagë më e lartë, merr një kontribut nga sigurimet shoqërore edhe më të madh. Sot fondi nga 501 mln euro ka arritur në 1.3 mld, pra më shumë se dyfishin”, tha Rama.

Kryeministri tha se jemi në kushtet kur do të nisë rritja e pensioneve. “Më parë ua kemi thënë që pensionet nuk do të rriteshin, por tani është momenti për të rritur pensionet. i kemi indeksuar, por nuk i kemi rritur. Sot mund të flasim për mundësinë e rritjes së pensioneve. Ky vit është një vit me rritje të ardhurash”, tha Rama

Në vijim, referuar premtimeve të opozitës për pensione 400 apo 1 mijë euro, Rama i quajti si sharlatanë.

“Këta janë maskat e Sudes. Qoftë kur dalin maskat majë malit me tuta, qoftë kur dalin nga kati i 8-të, qoftë kur dalin maskat në ekranet dhe paraqiten si e reja, ato janë Sudja. Ne Suden e kemi një hije që na ndjek nga mbrapa, ndaj s’kemi arritur të bëjmë prokopi. Kemi pasur një çift politik nga njëra anë Suden dhe nga ana tjetër Haxhi Qamilin”, tha Rama.

Në vijim, ai tha se Shqipëria anëtare e BE në 2030, do të thotë që ne të shpëtojmë edhe nga ky çifti Haxhi-Sude. “Hija e Haxhiut po tretet, por Sudja është shumë e pranishme”, tha Rama.

SHKARKO APP