Rama përmirëson cilësinë e projekteve 3D, nxjerr foto nga ndërtimi i Urës së Madhe të Kukësit (Por shikoni në ç’fazë janë vërtetë punimet)
Projektet 3D dhe imazhe shumë pranë reales, na janë prezantuar nga qeveria vazhdimisht, gjatë inagurimeve për nisjen e punimeve të ndonjë vepre publike.
I tillë ka qenë edhe prezantimi i një projekti mëngjesin e sotëm, nga kryeministri Edi Rama, për ndërtimin e Urës së Madhe të Kukësit, ku madje nuk kanë nguruar edhe ironitë për kreun aktual të opozitës Lulzim Basha.
“Mirëmëngjes dhe me një tjetër vepër të munguar të Rrugës së Kombit, Urën e Madhe të Kukësit, për të cilën ka nisur puna, e falë së cilës do të mbyllet kapitulli i kthesës sa të rrezikshme aq edhe qesharake në dalje të asaj “gryke shisheje” përballë shkëmbit, si edhe në pamundësi që mos t’ju them të gjithëve, më falni po dallimi mes nesh e atyre përpara është fiks si dallimi në foto mes urës së vjetër dhe të resë, ju uroj një ditë të mbarë”- shkruan Rama.
Rama po ashtu tregon se aktualisht “Po punohet në shpatullat e urës. Ura do të jetë e varur në 310 m gjatësi dhe struktura e saj mbajtëse kryesore, do të jetë një element mbresëlënës prej çeliku special, me hapësirë 270m dhe lartësi 50m! Aktualisht janë kryer gërmimet për ndërtimin e ballëve të urës nga të dy krahët, duke zhvendosur rreth 270 mijë m3 shkëmb. Puna për ndërtimin e rampës, montimin dhe lëshimin e harkut të urës si edhe të elementeve të tjerë të saj, nis në shtator.”
Por nga një vëzhgim në Fax News, duket se punimet në Urën e Madhe mbeten vetëm 3D në faqen e rrjeteve sociale të kryeministrit, ku ura për pak sa nuk duket si e vërtetë.
Gazetari Ermal Hallaçi ka sjellë pamjet e punimeve që po kryhen në urë, ku siç edhe shihet qartë nga videot, deri tani punimet për urën e Madhe të Kukësit kanë qenë vetëm në zgjerimin e hapësirës të hyrjes dhe daljes së urës.
Nëse nuk fillojnë punimet deri në shtator, mundësia për të punuar për ndërtimin e Urës së Madhe është më e pakët, pasi ka gjasa të rritet niveli i ujit, gjë që bën të vështirë ndërhyrjen për të nisur punimet.
/Faxweb.al