Rama “pikturon” tablonë e mirëmëngjesit “me ngjyrat vibrante të Sarandës në këto ditë gushti”

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të urojë mirëmëngjes dhe të diel të mbarë nga Saranda, të cilën ai e ka “pikturuar” hareshëm dhe gazmueshëm, “me ngjyrat vibrante të Sarandës në këto ditë gushti”.

Në një ditë të ngrohtë gushti, Saranda është në kulmin e saj, është e dehur nga paleta e ngjyrave të hareshme dhe penelatat e shkujdesura të diellit që lajnë me të artën e Klimt çdo buzëqeshje gruaje dhe puthje dashurie, çdo vërshim valësh e vrapim fëmijësh.

Qielli është i pastër dhe blu, dielli përvëlon dhe bregdeti gumëzhin nga gjallëria e turistëve, vendas dhe të huaj të cilët janë pjesë e kësaj tabloje, pjesë e këtij gazmendi. Temperatura zakonisht luhatet midis 30-35°C, duke e bërë ujin e detit të freskët dhe shumë tërheqës për të notuar, dhe duke mundësuar të gjithë ata që e duan kaltërsinë e qiellit po aq sa edhe atë të detit.

Shëtitorja përgjatë bregut është plot me njerëz që shijojnë akullore, kafe të freskëta, apo thjesht ecin për të vlerësuar panoramën mahnitëse të detit dhe për të jetësuar çaste në foto, që mbushin rrjetet sociale dhe çelin të gjithë lulet e kopshteve të lumturisë të atyre që e duan jetën dhe vijnë te kjo e diel si te çdo moment ku ata ndihen plot dëshirë dhe përjetim.

Të shumtë janë ata që pushojnë në shezlongje pranë ujit të pastër dhe të qetë, ndërsa plazhet gumëzhijnë nga fëmijët dhe familjet. Flladi i lehtë nga deti sjell freski dhe shpesh ndihen aromat e restoranteve bregdetare që shërbejnë peshk të freskët dhe gatime tradicionale shqiptare.

Në mbrëmje dhe vjen shumë shpejt mbrëmja, Saranda ndizet me dritat e shumta të lokaleve dhe jetës së natës dhe shiu i yjeve. Turistët dhe banorët bashkohen në një atmosferë të hareshme, duke shijuar verërat lokale, muzikën dhe shëtitjet nëpër rrugicat e qytetit. Saranda në gusht është një përzierje e përsosur e relaksimit dhe argëtimit të gjallë!

Kjo është Saranda që zgjodhi kryeministri të bëjë kartolinë urimi për mirëmëngjes dhe të diel të mbarë.

Albert Vataj

 

SHKARKO APP