“Rama s’është revolucionari që mendojnë ndërkombëtarët”
Analistët Fatos Lubonja dhe Arian Vasjari kanë debatuar për mënyrën si po bëhet reforma në drejtësi.
Lubonja u shpreh se e ka thënë që në fillim se reforma në drejtësi është një puç institucional. Ai shtoi se nuk sheh te Rama revolucionarin që e tregojnë ndërkombëtarët, pasi e njeh atë më afër nga se e njohin ambasadorët.
Arian Vasjari: Kemi balancë në zgjedhjen e gjykatësve. Tre duhet të jenë nga Gjykata e Lartë, tre nga Presidenti e tre nga Kuvendi. Rreziku që Venecia e parashikoi për ata të Kuvendit ka qenë një rrezik real. Nëse i drejtohemi Venecias, i drejtohemi që të na zgjidhë keqkuptime, nevojën për të interpretuar dispozita të caktuara ligjore. Më pëlqen kultura juaj e dyshimit.
Fatos Lubonja: Jo nuk janë dyshime, por janë realiste.
Arian Vasjari: Unë mendoj se gjithë narrativa jote bazohet në dyshim. Ti shfaq një kulturë dyshimi mbi sistemin gjyqësor.
Fatos Lubonja: Jo, nuk kam thënë dyshim. Kam pasur një artikull “Mesia Rama dhe Mesia Lu”. Kam qenë kundër, nuk kam pasur dyshime. Ishte e qartë se në këtë kontekst ku jetojmë, nuk mundesh që me një reformë në drejtësi të çuditshme, nuk e nxjerr vendin nga bataku dhe fakti po e tregon se ti je më keq nga se ishte, në raport me drejtësinë. Nuk është dyshim kjo. Kam dyshime unë, për shembull për Amerikën. Por, jo në këtë rast.
Arian Vasjari: Ti ke qenë kritik që në fillim ndaj Reformës në Drejtësi. Ke qenë kështu apriori, ke studiuar Reformën në Drejtësi apo kishe prova se kjo reformë ishte e rrëmbyer nga maxhoranca? Nuk besoj se e ke studiuar reformën në drejtësi.
Fatos Lubonja: Pasi e kam lexuar, kam thënë se ky është puç. E kam parë reformën dhe e kam quajtur puç institucional dhe e kam studiuar. Vijnë pra forcat revolucionare dhe thonë ne do e pastrojmë Shqipërinë. Vijnë ndërkombëtarët dhe thonë do vijë Rama si revolucionar e do fusë Berishën e Metën në burg. Por ndërkombëtarët nuk e njohin Ramën si unë, sepse e njoh çfarë ka bërë me Bashkinë e Tiranës. E kam lexuar mënyrën si bëhet reforma e tregohet vullneti për të kapur reformën.