Rama shpërndan leje legalizimi në Kukës

 

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë leje legalizimi falas në qarkun e Kukësit. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se legalizimi i shtëpisë është një mundësi e re për ekonominë familjare. 

Duke legalizuar shtëpitë, vijoi ai, qytetarët kanë mundësi të sigurojnë kredi, e për pasojë ndikojnë direkt dhe në ekonominë kombëtare. 

“Legalizimi i shtëpive duke u bërë pasuri e patundshme i jep një mundësi të re ekonomisë familjare, dhe, si rezultat, edhe ekonomisë tonë kombëtare. Duke vendosur si garanci shtëpinë tuaj dhe duke i thënë bankës që më jep kredinë që unë të bëj një investim për ekonominë time familjare, banka është e sigurt se ju nuk do të ikni në drejtim të paditur, por do t'i ruani raportet me të. Nga ana tjetër, kjo do të ndihmojë ekonominë e qytetit, të bashkisë që përfshin sot jo vetë qytetin, por dhe 14 komuna, duke i kthyer ata që jetojnë në komuna në qytetarë të barabartë. Do të ndihmoni edhe ekonominë kombëtare, sepse duke bërë investim, duke hapur një biznes të vogël, ju do të jeni në gjendje të paguani dhe taksat. Dhe ato taksat do t'i shkojnë bashkisë, bashkia nga ana e saj do të mundësojë më shumë investime nëpër shkolla, çerdhe, kopshte etj”, theksoi Rama. 

Kryeministri shtoi se, edhe në spitalin e Kukësit vihen re ndryshime të prekshme falë investimeve, ndërsa premtoi edhe projekte të tjera për qytetin verior.

SHKARKO APP