Rama: Shqipëria kryeson rajonin në prokurimet publike, shërbimet tashmë pa radhë e korrupsion
Kryeministri Edi Rama ka bërë një bilanc të zhvillimeve kryesore të javës, duke u ndalur te procesi i integrimit europian, modernizimi i administratës publike dhe mbështetja për sipërmarrjen shqiptare. Sipas tij, Shqipëria po shënon progres të dukshëm në disa sektorë kyç, ndërsa po fiton gjithnjë e më shumë vlerësime nga partnerët europianë.
Rama përmendi vizitat zyrtare në Gjermani dhe Estoni, të cilat i cilësoi të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe rolit të Shqipërisë në sigurinë euroatlantike. Ai theksoi gjithashtu se miratimi me konsensus në Kuvend i rezolutës për anëtarësimin në Bashkimin Europian është një tjetër sinjal pozitiv për të ardhmen europiane të vendit.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së kreut të qeverisë iu kushtua digjitalizimit të shërbimeve publike dhe reformës në prokurimet publike. Sipas Ramës, Shqipëria renditet aktualisht e para në rajon për treguesit e prokurimeve publike, duke lënë pas vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe duke kaluar në disa aspekte edhe mesataren e vendeve të Bashkimit Europian.
Ai solli si shembull faktin se niveli i procedurave me vetëm një ofertues në Shqipëri është më i ulët se mesatarja europiane, duke e konsideruar këtë si tregues të rritjes së konkurrencës dhe transparencës. Rama theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk lidhet vetëm me sistemin e drejtësisë, por edhe me ndërtimin e mekanizmave modernë që reduktojnë kontaktin fizik dhe abuzimet në administratë.
Kryeministri nënvizoi se sot 95% e shërbimeve publike për qytetarët ofrohen përmes platformës e-Albania, duke shmangur radhët, vonesat dhe ryshfetet. Sipas tij, transformimi digjital i shtetit po sjell një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë dhe më transparente mes qytetarëve dhe institucioneve.
KOHA JONË SONDAZH

