Rama: Tirana, me bekimin e fëmijëve, kremton sot 80-vjetorin e çlirimit

Sot, 80-Vjetori i Çlirimit të Tiranës, shkruan Rama në një postim që ai ka bërë në rrjetet sociale ku ka bërë me dije përmes një galerie fotosh mbi aktivitetet e nxënësve të shkollave të kryeqytetit, me rastin e Ditës së Çlirimit të Tiranës.

Fëmijët, më mirë dhe më bukur se ata askush nuk mund t’i japë kësaj dite ngjyrat dhe shpirtin e festës, sepse ata e meritojnë këtë kremte, atyre u përket e sotmja dhe e ardhmja, e atyre është Tirana dhe Shqipëria.

Sot, 17 nëntor 2024, shënohet 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më 17 nëntor 1944, pas një beteje të ashpër që zgjati disa javë, forcat partizane shqiptare arritën të çlirojnë kryeqytetin nga pushtimi nazist. Kjo fitore shënoi një moment kyç në çlirimin e plotë të vendit, që u përmbyll më 29 nëntor 1944.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm, shpesh përkujtohen sakrificat e mijëra luftëtarëve që dhanë jetën për lirinë e vendit, si dhe roli i qytetarëve të Tiranës që ndihmuan luftën kundër pushtuesit. Ceremoni përkujtimore, aktivitete kulturore dhe akademike organizohen për të kujtuar këtë ditë të shënuar.

Ky moment historik konsiderohet si operacioni i madh, nga më të rëndësishmit, më të ashprit e më të suksesshmit që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.
Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korpomatës së i Sulmuese. Shtabi i Korparmatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme.
Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës. Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor).
Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29, 10, – 17, 11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë.
Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH. Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij.

Kujtesa e kësaj dite mbetet një simbol i rezistencës dhe unitetit kombëtar, i vlerësimit të historisë dhe mirënjohjes së atyre që sakrifikuan jetën në betejën ngadhënjimtare për çlirimin e Tiraës, nhgjarje e cila pasoi me dëbimin e okupatorit nga gjitha viset shqiptare, për të finalizuar me Shkodrën më 29 nëntor 1944.

Albert Vataj

SHKARKO APP