
Kryeministri Edi Rama njoftoi rritjen e bursave për studentët që vijnë nga familje në vështirësi ekonomike me 15 mijë lekë të reja, duke e çuar vlerën e tyre në 25 mijë lekë në muaj. Mbështetja financiare do të shtrihet edhe për studentët e nivelit master. “Bursa u rritet me plus 15 mijë lekë të reja, pra u bëhet praktikisht sa një gjysmë page minimale, 25 mijë lekë dhe u shtrihet edhe në nivelin master”, deklaroi Rama.
Kryeministri prezantoi edhe masa të reja për strehimin e studentëve dhe çifteve të reja. Sipas tij, projektligji i ri për strehimin, që ndodhet në Parlament, parashikon qira të bashkëfinancuara nga qeveria, si dhe kredi me interes 0% ose 3%, në varësi të kritereve dhe kushteve ligjore. Një tjetër nismë lidhet me praktikat profesionale me pagesë. Rama bëri të ditur se do të vendoset një kusht për bizneset që, sipas një formule të përcaktuar, të punësojnë studentë me gjysmën e pagës minimale.
Rama iu drejtua edhe studentëve që protestojnë, duke i ftuar të ulen në dialog për kërkesat e tyre dhe përmirësimin e kushteve në universitet. Ai kundërshtoi pretendimet se studentët nuk ishin dëgjuar gjatë muajve të protestës, duke deklaruar se kërkesa e tyre kishte qenë: “Nuk ka dialog, jep dorëheqjen!”.
Duke iu referuar Paktit për Universitetin të vitit 2018, kreu i qeverisë tha se rreth 60% e studentëve përfitojnë të paktën një formë mbështetjeje të drejtpërdrejtë nga shteti. Sipas shifrave të paraqitura prej tij, 4,648 studentë marrin bursë për shkak të gjendjes ekonomike të familjeve, ndërsa 10,152 studentë janë të përjashtuar plotësisht nga tarifa universitare dhe 27,050 të tjerëve qeveria u mbulon 50% të saj.
Sa i përket kushteve të banimit në konvikte, Rama deklaroi se janë negociuar dhe miratuar 100 milionë euro të tjera për konviktet, me synimin për të rritur kapacitetet dhe për të përmirësuar cilësinë e tyre. Kryeministri la të hapur mundësinë e rishikimit të Paktit për Universitetin, duke ftuar studentët të bëhen pjesë e procesit. ”Nëse doni ta rishikojmë Paktin e të lini gjurmën tuaj edhe për studentët pas jush, bujrum, me dialog, me njerëzillëk dhe durim. Unë jam”, u shpreh Rama.
