Urimi i kryeministrit me videon e rrugës Shëngjin-Velipojë, Rana e Hedhun dhe hetimi nga SPAK
Kryeministri Edi Rama ka postuar këtë të dielë një video me kantierin e rrugës Shëngjin – Velipojë. “Një investim strategjik në fushën e turizmit që do të jetë po ashtu ndër akset më panoramike të Shqipërisë, ju uroj të diel të paqtë.”- shkruan kryeministri.
Rruga Shëngjin-Velipojë është një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që lidh dy prej destinacioneve më të njohura turistike të bregdetit shqiptar, Shëngjinin dhe Velipojën. Kjo rrugë përshkon një pjesë të bregdetit të Adriatikut dhe ka për qëllim të lehtësojë qarkullimin midis këtyre zonave, duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit, por edhe duke kthyer këtë zonë e sidomos Rana e Hedhun në një zonë investimesh turistike të cilat do jenë të pashoqe.
Para ndërtimit të kësaj rruge, udhëtimi midis Shëngjinit dhe Velipojës kërkonte një rrugë më të gjatë përmes Lezhës dhe Shkodrës. Me përfundimin e rrugës së re, distanca dhe koha e udhëtimit do të zvogëlohet ndjeshëm, duke bërë të mundur që turistët dhe banorët të lëvizin më shpejt dhe më lehtë mes dy qyteteve dhe dy skajeve të mrekullisë së bregdetit shqiptarë.
Rruga kalon pranë detit dhe për këtë arsye është konsideruar si një rrugë me rëndësi të madhe jo vetëm për turizmin, por edhe për zhvillimin ekonomik të zonave rurale përreth. Ajo gjithashtu ndikon në zhvillimin e bizneseve lokale dhe lehtëson qasjen ndaj plazheve të bukura të zonës.
Projekti i rrugës Shëngjin-Velipojë është vlerësuar si një hap i madh drejt zhvillimit të mëtejshëm të turizmit në këtë rajon të Shqipërisë.
Jo vetëm kaq, për të gjithë udhëtarët, kjo rrugë do të dhurojë një spektakël të bukurisë së bregdetit, duke e shënjuar këtë aks në një panoram magjepsës.
Investimi që po bën qeveria mbetet një vendim që shkon kah interesave të banorëve, por edhe të zhvillimit turistik.
Që tani me investimin e kësaj rruge të re vlera e tokës ka kërcyer nga 50 euro në 100 apo 150 euro për metër katror. E kemi fjalën vetëm shitja e tokës, pa investuar asgjë! Ndërsa te Rana e Hedhun, që mbetet me vlera të veçanta turistike, çmimi ka kërcyer në 150-200 euro për metër katror.
Paralel me këto investime dhe rritje të vlerës së tokës turistike kanë filluar edhe lojërat nga oligarkë në Tiranë dhe njerëz të lidhur me pushtetin që të manipulojnë vendime hipotekash dhe vendime gjyqësore nga gjykata e Lezhës dhe ajo e Apelit në Tiranë për të ndryshuar hartën e pronësive.
Por edhe SPAK ka nën hetim, pa zhurmë, dy oligarkë dhe disa politikanë që luajnë fijet e përvetsimit të tokës te Rana e Hedhun. Eshtë dhe një kryebashkiak nën hetim. Nuk dihet saktësisht, por flitet se është vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, që po heton manipulimet dhe tjetërsimet, të cilat projektohet në Tiranë, nga ku burojnë fijet e mafies dhe manipulimeve të tokës në zonën e Rana e Hedhun.
Albert Vataj