Kryeministri: Tirana, fuqi turistike në rajon. Ka pasur një bum të jashtëzakonshëm turistësh

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Tirana ka njohur këtë vit një bum të jashtëzakonshëm turistësh. Duke folur në bilancin e sezonit turistik që lamë pas, Rama theksoi se ky bum turistësh shihet jo vetëm nga të dhënat e marra nga hotelet, por dhe nga numri i lartë i apartamenteve që jepen me qira për vizitorët që zgjedhin kryeqytetin si destinacionin e pushimeve të tyre.

Vetëm në 6 mujorin e parë kemi kaluar 1 miliard të ardhura nga turizmi, pra pothuajse dyfishin e vitit të ardhshëm. Flukset e vizitorëve të huaj, deri në gusht kemi qenë 5 milion e 600 e ca mijë turistë që është e barabartë me faktikisht 1.3 milionë më shumë se vitin e kaluar. Kemi pasur diversifikim shumë domethënës të fashave të vizituara nga veriu në jug. Dhe sidomos një turizëm që ka sjellë shumë vizitorë në disa qytete, duke filluar nga Tirana. Tirana ka pasur një bum të jashtëzakonshëm turistësh që kanë preferuar Tiranën dhe qëndrimin në Tiranë. Kjo shikohet jo vetëm nga hotelet që kanë qenë plot e përplot , por edhe nga numri shumë i madh i apartamenteve që kanë qenë të marra me qira përmes agjencive dhe në rrugë digjitale”, theksoi Rama.

Rama vlerësoi dhe pastërtinë në Tiranën, duke thënë që kryeqyteti është shumë herë më i pastër se në kohën që ai drejtohej nga Lulzim Basha. “Të gjitha përshtypjet e anketuara të vizitorëve të huaj në Tiranë, fillojnë me pastërtinë. Në një kryeqytet që ishte simboli i pisllëkut, mbas katër vitesh që ra në atë gjumin thellë që tani mbase të gjithë e kanë harruar bashkë me atë që gërhiste por ishte fakt. Sot ne kemi të gjitha mundësitë që ta shikojmë atë që do jetë Shqipëria e 2030 si një potencë turistike në gjithë këtë rajon”, nënvizoi Rama.

SHKARKO APP