Rama zbulon shifrat: Ja sa do rriten pagat në universitet
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sistemin arsimor aktual, duke deklaruar se ata trashëguan një sistem arsimor që ishte ndërtuar vetëm me një korsi.
Ai i bëri komentet gjatë një takimi me profesorët e Universitetit të Tiranës.
“Kemi trashëguar një sistem arsimor të ndërtuar enkas me një korsi. Nga klasa e parë drejt e në universitet”.
“Një rrënim tërësor i ishte bërë jo vetëm sistemit të arsimit në këto vite, por dhe kuptimit të tij dhe vlerës së tij. Kishim thyer një rekord botëror pasi kishim 18 herë më shumë universitete se Britania e Madhe dhe 15 herë më shumë se Gjermania për frymë. Ndërkohë, korsia tjetër, që është kyçe për zhvillimin ekonomik e social të vendit, arsimi profesional, ishte mbyllur”.
Rama tha rrënuese ishte edhe skema e financimit, e cila sipas tij nuk merrte në konsideratë asnjë referencë, por thjesht toleronte universitetet private që të ktheheshin në një ndërmarrje fitimprurëse.
“Kështu u shkatërrua arsimi publik dhe ai privat. U shkatërrua edhe matura shtetërore”.
Kreu i ekzekutivit tha se hyrja në universitete duhet të bëhet më e vështirë.
“Kjo që kemi ndërmarrë ne është vetëm fillimi i një procesi ku konkurrenca duhet të ashpërsohet vit pas viti dhe ku hyrja në universitet duhet të bëhet më e vështirë dhe jo më e lehtë, për t’u siguruar që kush del nga universiteti të jetë shërbëtor i formuar i këtij populli”.
“Sepse efekti zinxhir i këtij shkatërrimi që fillonte nga klasa e parë, nuk përfundon kur studenti merr diplomën, por kur studenti merr në dorë fatet e njerëzve. Dhe çfarë është mbjellë, korret pastaj në kurriz të atyre që me të drejte presin që të kenë një shtet që shërben me cilësi, të kenë një tërësi institucionesh që projektojnë të ardhmen dhe administrojnë të tashmën”.
Gjatë takimit, kryeministri bëri publike shifrat mbi rritjen e pagave në universitet.
Sipas tij, fondi për rritjen e pagave do të jetë 5 milionë dollarë dhe nga ky fond do të përfitojnë mbi 3600 punonjës.
“Profesori i Universitetit do të marrë 139 mijë lekë (të vjetra) më shumë në muaj. Lektori do të marrë 103 mijë lekë (të vjetra) më shumë në muaj,” tha Rama.
“Ata që kanë pagën minimale, që janë strukturat mbështetëse, do të kenë rritjen më të lartë, me 35 % në të gjithë shtresën horizontale të punonjësve të këtij shteti”.
KOHA JONË SONDAZH

