Rama:Nesër nis operacioni shumëpërmasor në sektorin e naftës

 

Deklaratë për mediat e Kryeministrit Edi Rama:

Siç e kemi njoftuar pak javë më parë, sot dua që të bëj publik, fillimin e operacionit shumëpërmasor kundër të gjitha formave të grabitjeve dhe të mashtrimeve me konsumatorët shqiptarë në sektorin e naftës.

Ministri i Financave, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, si dhe Ministri i Brendshëm, kanë dakordësuar një udhëzim shumë të specifikuar, në mbështetje të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë, të ligjit për akcizat në Republikën e Shqipërisë, të Ligjit për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, të Ligjit për Metrologjinë, të Ligjit për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, së gazit dhe të nënprodukteve të tyre, të Ligjit për Policinë e Shtetit, të Ligjit për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit, të markimit, dhe monitorimit të karburanteve, si dhe të tetë vendimeve të Këshillit të Ministrave që datojnë prej vitit 1999, deri në vitin 2013 dhe mbi bazën e gjithë kuadrit ligjor shterues për sektorin, kanë vënë në lëvizje një mekanizëm institucional, ku përfshihen; Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Inspektorati Shtetëror përgjegjës, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, kompania koncesionare e markimit, si dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit. Kanë përcaktuar 21 aspekte me të cilat ky mekanizëm do të merret 24 orë në 24, në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke filluar nga dita e nesërme.

Këto 21 aspekte te sektorit janë edhe pikat kyçe të cilat është koha të vendosen në shtratin e plotë të legjislacionit që përmenda më lart.

E dimë mirë se çfarë ka ndodhur me këtë sektor për shumë vite. E dimë mirë se çfarë rrënimi i është bërë sektorit dhe për pasojë çfarë kostosh ka marrë ekonomia kombëtare, por dhe ekonomia familjare e çdokujt që konsumon naftë për nevojat e veta. E dimë mirë se shumë shpesh ajo që shqiptarët paguajnë në pikat e karburantit nuk i përgjigjet cilësisë që kërkon ligji dhe që meriton konsumatori, që nxjerr paratë nga xhepi i tij.

Prandaj, do të fillohet që nga procedurat e trajtimit, mbikëqyrjes dhe kontrollit sasior, cilësor dhe fiskal në rastet e importit detar të naftës dhe produkteve të saj. Duke nisur nga momenti i parë i konfirmimit të mbërritjes së një anijeje në kapitenerinë e portit dhe duke ndjekur një set procedurash të mirëpërcaktuara, ku marrin pjesë të gjitha institucionet që përmenda dhe që janë të përshkruara me detaje në Udhëzim. Do të vazhdohet me destinacionet doganore. Pra, si shkon më tej produkti i magazinuar, që mund të vendoset në qarkullim të lirë ose të rieksportohet. Tek vendosja në qarkullim të lirë deri te rieksporti, përsëri ka një plan shumë të detajuar që e bën të pamundur që çka ka ndodhur në vite të tëra, dhe si pasojë çka ka vazhduar si inerci në këtë periudhë, pavarësisht përmirësime që kanë ndodhur, të vazhdojë të ndodhë.

Më tej, me procedurat e trajtimit, mbikëqyrjes dhe kontrollit sasior, cilësor e fiskal në rastet e importit tokësor të naftës dhe nënprodukteve të saj; Përsëri plani është tërësisht i detajuar dhe mekanizmi është tërësisht në funksion të këtij plani.

Më tej tek tregtia me shumicë, ku ka një sërë orientimesh shumë të qarta për çdonjërin nga institucionet. Tek tregtimi me pakicë, ku kemi edhe një nga ato momente të një aleance të fortë me konsumatorin, në funksion të mosmashtrimit të atyre që konsumojnë naftën për nevojat e tyre vetjake.

Më tutje, me procedurat e kontrollit sasior, cilësor e fiskal në rastet e prodhimit vendas të hidrokarbureve, rafineritë e naftës, njësitë e prodhimit të biokarburanteve dhe impiantet e përpunimit të nënprodukteve të naftës do t’i nënshtrohen një kontrolli rigoroz që do të jetë pikë për pikë ajo që shkruhet në ligjet dhe vendimet e derisotme të Qeverisë shqiptare.

Tregtimi me shumicë, tregtimi me pakicë, procedurat e kontrollit sasior, cilësor dhe fiskal në rastet e eksportit të prodhimit vendas; Sigurisht, edhe një aspekt tjetër, shumë i rëndësishëm, shoqëritë e prodhimit të naftës bruto, të cilat po ashtu duhet ta marrin shumë të qartë sot mesazhin se: Toleranca do të jetë zero!

Më tutje, është përcaktuar edhe mënyra se si do të shkëmbehet në kohë reale informacioni mes gjithë institucioneve, si do të njoftohen në kohë reale shkeljet e konstatuara, si do të bëhet raportimi në kohë reale dhe si, në instancë të fundit, pikat e kontaktit që koordinojnë gjithë këtë operacion në çdo institucion dhe janë nivelet më të larta institucionale, nën drejtimin e Ministrit të Ekonomisë dhe Ministrit të Energjisë, do të japin në kohë reale udhëzimet për veprime.

Ky është një operacion që vjen në një moment shumë të rëndësishëm për ekonominë tonë, ku kthesa që ka nisur duhet të vazhdojë me doemos dhe edhe më me shumë shpejtësi dhe ku ky sektor ka një barrë të rëndësishme. 

Ky operacion vjen po ashtu me të njëjtën metodologji si operacioni i ri energjisë elektrike dhe si operacioni i ndalimit të uzurpimit dhe ndërtimit të paligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bazohet në eksperiencën këtyre 18 muajve, bazohet në gjithë analizën e imët që është bërë në sektor dhe bazohet në një projekt shumë të qartë që nuk do të ndalet, siç nuk janë ndalur dhe nuk do të ndalen as dy operacionet e mëparshme që përmenda.

Nuk do të ndalet, sepse beteja me grabitësit e pasurisë tonë kombëtare dhe me mashtruesit që u shesin qytetarëve, naftë të një cilësie të papranueshme, duke ua dëmtuar prej kaq shumë vitesh investimin e tyre në automjete, është një betejë jetike për ekonominë kombëtare dhe për ekonominë e familjeve tona, por është edhe një betejë jetike për cilësinë e mjedisit ku jetojmë.

Dola sot këtu, sepse siç kam bërë edhe në të shkuarën, e shoh shumë të rëndësishme që gjithë industria ta marrë këtë mesazh qartë, prerë dhe pa ekuivok, që gjithë industria ta kuptojë që ne do ta mbështesim këdo që bën në këtë sektor dhe në gjithë sektorin e ekonomisë së vendit, sipërmarrje të drejtë dhe të bazuar mbi ligj, por ne nuk do të pajtohemi me asnjë sipërmarrje që shkel ligjin.

Historitë që u kanë ndodhur deri më sot, qoftë të qytetarëve të thjeshtë me shkatërrimin e automjeteve të tyre, qoftë të qytetarëve në zona ku kjo industri ka bërë dëme të konsiderueshme, duhet të marrin fund. Ne do t’u japim fund, duke i dhënë secilit hakën që i takon; Qytetarëve dhe konsumatorëve hakën e tyre si qytetarë të këtij vendi, që ne kemi detyrimin ta bëjmë përditë e më të mirë, përditë e më të jetueshëm dhe përditë e më të drejtë në kuptimin e zbatimit të ligjit. Po ashtu, duke folur për sektorin, përditë e më të pastër nga pikëpamja mjedisore dhe sipërmarrësve në sektor, të cilëve ju urojmë sukses, ju urojmë punë të mbarë, ju urojmë sa më shumë fitime nga puna e tyre, por ju urojmë po ashtu, që të mos ta marrin lehtë të këtë operacion, sepse siç thashë, toleranca do të jetë zero dhe përballja me shtetin dhe me ligjin do të jetë më e ashpër se asnjëherë tjetër.

Unë ju falenderoj për vëmendjen dhe në vijim ne do të japim herë pas herë, të dhëna mbi ecurinë e këtij operacioni.

SHKARKO APP