RamëZiu polemizon me Rudinën, që të ndjehet burrë!

Nga Artur Zheji

Rëndë, shumë rëndë je ti sot, o kryeministri ynë!

Rëndë je, se nuk rri dot pa folur, pa përfolur, pa përqeshur, pa spërdredhur gërma dhe tinguj në vorbulla marramendëse fjalësh, që gjithmonë e më pak, bartin mendime të mirëfillta, në kurriz të tyre!

Mbete me një diarre fjalësh që mbajnë erë të keqe gënjeshtrash gjithëfarëshe dhe je, duhet thënë o xhaxh RamZiu, si një xhaxh “marrok” i palodhur fshati, që përflet apo përdhos çdo derë e çdo rob që s’të bën përkuljen tokëputhëse apo respektin që ti lyp, e që të bëjnë përditshmërisht, pasbythorët e tu të shumtë!

Rëndë je o xhaxh TatëZiu, i të zezve shqiptarë! Sepse pasbythorët të lypin gjithnjë e më shumë lekë, ditë pas dite, në këmbim të çdo shërbimi pasbythor, derisa “Pabuksat” e shumtë, që ndryshe quhen edhe populli yt apo populli im mjeran, të ngelen pra, jo vetëm pa bukë, por edhe krejt pabrekë!

Por ty sir, apo xhaxh marroku i fshatit që rrëfen gjëegjëza e të “mençura”, që habisin e mrekullojnë ende Rudina Hajdarin përshembull, nuk të ndalet goja, sepse të rrjedh, e të rrjedh vetë e vetvetiu o xhaxh, o vëlla!

E madje, më vjen keq që shoh në bahçen e trurit tënd, edhe ca pemë që kanë mbjellë me mirësi dikur, kohë më parë, ca njerëz të mirë, që bashkarisht takonim (në kohëra të hershme kur ti, nuk ishe ky…).

Dhe shoh sot me dhimbje, që frutet e këtyre pemëve të Dijes, të mbjella në bahçen e kokës tënde me shumë dashuri, kur ti dije shumë pak ose aspak, ti sot i përdor frytet e tyre, thjesht si ambalazh, për të transportuar horrllëqet e tua të sotme konceptuale e pushtetare.

Sa rëndë që je shoku RamëZiu!

Merresh dhe polemizon edhe me Rudinën, që të shikon me vështrim adhurues, pasi ajo, Rudina ambicioze, belbëzon ca fjalime që edhe një parukiere fshati, ujdis, kreh dhe stilon më mirë se sa deputetja në fjalë, apo ndryshe, shpikja e suksesshme e LulBashës.

Rëndë je RamëZiu, je gati të dalësh në Kuvend, edhe me një shpatë druri e ti përgjigjesh thirrjeve për duel, të së voglës Rudinë (në thelb duket e mirë ajo vajzë), mjafton të dalësh fitues!

Rëndë! Rëndë o xhaxh!

Po tashmë ti je marroku i fshatit, ec e mos ndalo në rrugën tënde!

Por, edhe njëherë e theksoj, pavarësisht se e di, që ty, nuk të hyn në punë o RamëZiu!

Unë nuk e di që ti, ke edhe një vajzë, e aq më tepër nuk e di, e as më duhet, se si e shpenzon dhe se me kë e shpenzon ajo vajzë, kohën e saj, pas studimeve të kryera sëfundmi, në Zvicrën e shtrenjtë!

Por ty o xhaxh, të interesonte jo burimi i ujit, por shishja që e barti.

Urdhërove dënimin e portaleve, apo të shisheve dhe nuk u more fare, me portalin burim që e paskesh gatuar, lajmin e sajuar të një dashurie të paqenë, të vajzës tënde psikologjike, se nuk na ke njoftuar që e ke birësuar! Gjithësesi, mbrojtja e dinjitetit te vajzës së gruas tënde, të bën nder!

Madje të përgëzoj! Ec para kësaj rruge o xhaxh, vazhdo fort, sepse sot, ti ke birësuar gjithëkënd tashmë, anembanë Shqipërisë, o Udhëheqës!

Por fjalën “dashnore” që ti përmende në Kuvend, askush nuk e përmendi, as në portalin-burim dhe as në portalet-shishe!

Por ti xhaxh, nuk ndalesh, je rëndë! E përdore kësisoj edhe vajzën e gruas, për të bërë politikë vetë-viktimizuese, për të përligjur një ligj të egër.

E shkreta vajzë, për njerkun që ka!

Rëndë je! Kërkon të të mëshirojmë? Po pse je bërë për tu dhimbsur, kur ti je sot, në “kulmin” e fuqive” të tua?!

Po përse xhanëm?

Pak ke?!

Akoma nuk ke të ngopur?!

Por ja arrite qëllimit! Sot më dhimbsesh edhe mua, edhe familjarët e tu më dhimbsen! Ndoshta edhe më shumë se sa ty, sepse ti shquhesh për “Mosndjenja”… dhe kjo ka qenë dhe është, sekreti i forcës tënde!

Ti e di, RamëZiu, që unë e di këtë!

Ndonëse ti, e ke lluksin dhe pafytyrësinë të na shantazhosh publikisht, me dhimbjen e nënës tënde, që e rrespektoj në pleqërinë e saj (I qoftë e bardhë!), zonjës Neta, (ashtu si kam bërë gjithmonë).

Po përse unë sipas teje duhet të hesht!

Mos ti gjykon vallë, se dhimbjet apo lotët e fisme të nënave tona, apo dhe të baballarëve e familjarëve tanë, kanë qenë dhe janë më pak të dhimbshme?

Dhe shpesh, kanë patur shkak, sjelljet e tua të pabesa dhe të pafytyra! Të cilat, o xhaxh, mund të kenë shkaktuar, jo vetëm dhimbje nervore apo emocionale, por edhe egzistenciale! Por asnjëherë nuk i kam bërë dhe nuk do ti bëj publike, për të fituar mëshirën e ndokujt, aq më pak, vëmendjen tënde të hazdisur!

Sepse dikur të kam mësuar, të jesh rebel ndaj Satrapit Enver, kur ti e vizatoje me adhurim! Porse ti sot, po derdhesh në allçi te maska e tij mortore!

Ti e kupton më mirë se sa të tjerët se çfarë dua të them!

Frigohem se do mbetesh prej allçije, kur mund të përdorje më shumë mermer të mirë për veten tënde!

Vijo e merru me Rudinën tash, me shpatën tënde prej druri dhe diarrenë e lehaqenërinë e fjalëve të pafundme gurgulluese dhe përpër – iste, sepse ajo deputetja dhe ca të tjerë me interesa të qarta, nuk e kuptojnë dot ndryshimin ndërmjet kallëpeve të allçisë dhe gdhëndjes së mermerit!

Po nejse, keq më vjen që mbete një kopjues i vogël dhe me allçi në dorë, por me sukses të madh te Tregu i Gabit, të inteligjencës ballkanike.

E thyve Gabin plako!

E dërmove këtë treg madhështor të themeluar nga kryeministrat shqiptarë pararendës!

Realisht, nuk le brekë e kanatiere (apo lingerie …), pa shitur si mall francez, plako!

Allaversën! Dole sekser, xhongler, rrobaqepës e rrobashqepës, e mbi të gjitha, Gabist, i klasit të lartë!

Rëndë shumë rëndë!

“P.s (sekret) Musa Ulqini edhe Rudi, kanë thënë ca fjalë adhurimi për ty te Rruga e E. Kurse ca oligarkë, kanë shprehur dyshime për shëndetin tend, po aty!… (Të marrshin të keqen!)”

SHKARKO APP