Raporti alarmant. Shqipëria vendi më i korruptuar në Ballkan

Një raport i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, institucion që bashkëpunon ngushtë me BE, për perceptimin e korrupsionit në vendet e Ballkanit, e rendit Shqipërinë si shtetin më të korruptuar në rajon.

Të dhënat janë nxjerrë nga studimi i Barometrit Ballkanik, (Balkan Barometer 2020), publikuar pak ditë më parë. Në të gjitha kriteret e vlerësimit për korrupsionin, Shqipëria renditet pas Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe pas Bosnjë-Hercegovinës.

Matja e korrupsionit është bazuar në sondazhe mbi dy të dhënat kryesore. Fillimisht qytetarët janë pyetur nëse ata personalisht ose familjarë të tyre kanë paguar ryshfet, ndërsa klasifikimi i dytë është mbi bazën e perceptimit për nivelin e korrupsionit në vend. Në të dyja nivelet Shqipëria rezulton me të dhëna më negative se shtetet e tjera.

Kështu, shumica e shqiptarëve deklarojnë se kanë paguar direkt ryshfet për të marrë shërbime në sistemin gjyqësor, polici, shëndetësi dhe gjithë shërbimet e tjera shtetërore. Kështu 20 % e të anketurve pranojnë se kanë paguar para në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë që në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut kjo përqindje është vetëm 2.

Edhe më alarmante janë të dhënat për perceptimin e korrupsionit. Sipas studimit të Baromtetrit Ballkanik 90 % e të anketurve mendojnë se sistemi i drejtësisë është i korruptuar. Kjo është shifra më e lartë për perceptimin e korrupsionit në drejtësi se në çdo vend tjetër. Sipas këtyre statistikave vetëm një minorancë prej 10 % e qytetarëve mendojnë se reforma në drejtësi është e suksesshme. Sektorët e tjerë ku perceptimi i korrupsionit është më i lartë se në vendet e tjera janë partitë politike me 90%, doganat me 80 %, administrata publike 63 %. Shifrat janë dukshëm disa herë më ta larta se gjithë vendet e rajonit në të gjitha sektorët.

Interesant në këtë studim është dhe fakti se më shumë se 55% e qytetarëve në Shqipëri mendojnë se në Shqipëri është e korruptuar edhe shoqëria civile.

SHKARKO APP