Raporti i BSH: Pandemia do të godasë ekonominë e familjeve shqiptare
Pasojat ekonomike të krizës së koronavirusin do të kenë një efekt negativ zinxhir nga biznesi, tek të punësuarit dhe te sjellja e tyre në treg sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë.
Raporti i Stabilitetit Financiar ka analizuar ndikimin e deritanishëm të emergjencës shëndetësore të COVID-19 në ekonominë tonë.
Aty argumentohet se kriza e koronavirusit do të godasë ekonominë e familjeve shqiptare, duke ulur konsumin dhe duke shkaktuar vështirësi në shlyerjen e pagesave dhe kredive.
“Kjo situatë do të ndikojë edhe mbi punëmarrësit dhe në tërësi mbi të ardhurat e familjeve, pasi rënia e aktivitetit të ndërmarrjeve mund të sjellë reduktim të të ardhurave apo ndërprerje të pagës. Në një efekt zinxhir dhe për aq sa nuk kompensohet nga kursimet e familjeve dhe masat shtetërore mbrojtëse, kjo edhe më tej mund të ndikojë në dobësimin e konsumit të tyre dhe në vijim, edhe në vështirësi për të përmbushur detyrimet financiare. Këto të fundit, mund të përfshijnë edhe vështirësi në shlyerjen e kredive të marra në institucionet financiare, duke sjellë rënie të cilësisë së kredisë në këto institucione dhe ndikim negativ në rezultatin financiar”, theksohet në raportin e Bankës Qendrore.
Institucioni mbikëqyrës bankar ka kërkuar nga qeveria edhe sistemi bankar për të vlerësuar dhe ndërmarrë masat e duhura që do të sjellë kjo situatë.
“Përballja me një situatë të tillë përmban të panjohura, të cilat kanë nevojë të kapen në mënyrë të përshtatshme nga modelet aktuale të vlerësimit të kapaciteteve të sistemit financiar dhe të sektorit bankar”, evidentohet në raport.
Sipas Bankës së Shqipërisë, sistemi bankar duhet të vlerësojë goditjet eventuale, jo vetëm në afatshkurtër, por edhe në një afat më të gjatë. Gjithashtu, nevojitet që përmirësohet më tej gjendja e rezervave të kapitalit dhe të likuiditeti, për t’i paraprirë çdo lloj situate.