Raporti i KLGJ/ Reforma në Drejtësi “pezulloi” 92 mijë dosje që presin gjykimin
Zbatimi i reformës në drejtësi, me bazë ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016, ende nuk zgjidhur problemin kryesor që mundon shqiptarët në raport me drejtësinë; zvarritjen me vite të gjykimit të çështjeve, kryesisht për shkak të punës së ngarkuar të gjykatave, numrit të ulët të magjistratëve, keqmenaxhimit të sistemit, procedurave komplekse, por edhe për shkak të zvarritjeve të qëllimshme të gjyqtarëve për qëllime korruptive.
Në të gjitha gjykatat shqiptare, për vitin 2020, numri i dosjeve të mbartura që presin të gjykohen është 92 mijë. Nga ky “mal” me dosje, 50,9 për qind janë çështje civile, 31,2 për qind administrative dhe 17,9 çështje penale, që duhet të nisin që në themel.
Për vitin 2019 numri i dosjeve të mbartura ishte 77 mijë e 853. Numrin më të madh të dosjeve të mbartura e mbajnë Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, Gjykata e Apelit po në Tiranë, Gjykata Administrative e Apelit dhe Gjykata e Lartë, me totalin prej 55 972 çështje.
Pas Tiranës, gjykatat me stokun më të madh të dosjeve janë ato të Elbasanit, Shkodrës, Vlorës, Durrësit dhe Fierit. Gjatë vitit 2019, numri i dosjeve stok ka ardhur duke u rritur me shpejtësi në gjykatat e shkallës së parë Kukës dhe Sarandë si dhe në gjykatat e apelit Vlorë dhe Durrës.
Këto të dhëna reflektohen në një raport të Këshillit të Lartë Gjyqësor për volumin e punës së gjykatave dhe ‘malin e dosjeve’ të mbartura deri në fund të vitit 2019.
Sipas raportit, Gjykata Administrative e Apelit dhe Gjykata e Lartë janë më problematiket. Gjykata Administrative e Apelit ka rreth tre herë më shumë çështje të mbartura krahasuar me totalin e të gjithë gjykatave administrative të shkallës së parë.
Ndërkaq, bllokimi i Gjykatës së Lartë për shkak të dorëheqjes së 5 gjyqtarëve nga frika e Vetingut dhe shkarkimit të disa të tjerëve, ka rritur stokun e dosjeve që presin të gjykohen. Stoku i çështjeve të mbartura të kësaj gjykate ka shkuar nga 22 000 në fund të vitit 2017, në 34 311 në fund të vitit 2019, ose një rritje prej 56% në dy vjet.
Po pse drejtësia shqiptare ka përfunduar në këtë situatë? Këshilli i Lartë i Gjyqësor thotë se “nxjerrja e konkluzioneve mbi peshën specifike të faktorëve të ndryshëm dhe mënyrat e ndikimit të tyre mbi stokun e çështjeve të mbartura kërkon studimin e të dhënave disa vjeçare”.