Raporti nga “Amnesty International”/ LSI: Pas çdo veprimi të Ramës, fshihen aktivitete të paligjshme
Ish-deputetja e LSI, Silva Caka përmes një deklarate nga selia, akuzoi duke thënë se pas çdo veprimi të kryeministrit Edi Rama, fshihen aktivitete të paligjshme. Teksa ka komentuar raportin nga “Amnesty International” ku cilësohet publikimi dhe përdorimi i të dhënave personale të mbi 900.000 qytetarëve shqiptarë si shkelje të të drejtave të njeriut, Caka nënvizon se drejtësia me regji e mbylli çështjen e patronazhistëve duke provuar kapjen e saj.
Deklarata e plotë
Zgjedhjet e 25 prillit dhe shkatërrimi i tyre nga Edi Rama janë edhe shkaku i vetëm i krizës shumë të rëndë politike dhe ekonomike. Qytetarët shqiptarë tashmë e kanë shumë të qartë se pas çdo veprimi të Edi Ramës, fshihen vetëm aktivitete të paligjshme.
“Amnesty International”, në raportin e fundit të publikuar së fundmi, e ka dënuar dhe cilësuar publikimin dhe përdorimin e të dhënave personale të mbi 900.000 qytetarëve shqiptarë si shkelje të të drejtave të njeriut. Ky raport fakton se këto të dhëna u përdorën për qëllime elektorale, me objektiv shantazhimin dhe intimidimin e zgjedhësve.
Ajo që vlen të theksohet është që raporti i Amnesty International e cilëson veprimtarinë e SPAK për këtë çështje, si kërcënim ndaj lirisë së shprehjes dhe frikësim të gazetarëve, aq sa u desh ndërhyrja dhe vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, i cili nxorri në pah jo vetëm paaftësinë, por edhe kapjen e këtij institucioni.
Mënyra e vetme për të qeverisur e Edi Ramës është përmes kaosit dhe skandaleve të shumta kriminale, që pasojnë njëri tjetrin e ku njëri skandal është akoma më i madh se tjetri.
Çdo herë që Edi Rama lakon fjalën krenari për ndonjë skandal të mundshëm, nuk bën gjë tjetër përveçse përçon mesazhe paprekshmërie tek bashkëpunëtorët e tij e mbi të gjitha tek instancat e hetimit dhe gjyqësorit. Ashtu si Saimir Tahirin, përgjimet e dosjeve 184 e 339 apo inceneratorët që i konsideroi krenari, por që çdo ditë që kalon po i ngushton gjithjë e më shumë lakun, edhe patronazhistët ishin një tjetër moment kriminal.
Drejtesia me regji e mbylli çështjen e patronazhistëve duke provuar kapjen e saj. Drejtësia me regji e ka të kotë se kjo çështje nuk do të mbyllet kurrë dhe përgjegjësit nga Edi Rama e me radhë do shkojnë përpara drejtësisë.
Veprimet e intimidimet e Ramës ndaj institucioneve shqiptare të kapura nga paratë e krimit të organizuar, nuk përbëjnë asnjë kërcënim për institucionet ndërkombëtare, të cilat nuk e kompromentojnë seriozitetin e punës së tyre nëpërmjet lobimeve apo ryshfeteve.
Qëndrimi i qartë dhe shumë i fortë i Amnesty International është një apel dhe këmbanë shumë e fortë alarmi për drejtesinë shqiptare që ajo të heqë dorë nga qëndrimet e saj antiligjore pro rilindjes dhe t’i kthehet kushtetutës dhe ligjit.
Qëndrimi i Amnesty International është edhe një motiv më shumë për opozitën në luftën e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme si dhe për shtetin ligjor dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.