Raporti nga SPAK: Rriten me rreth 70% hetimet e nisura nga referimet e Policisë. 45.5 mln euro pasuri e sekuestruar

Gjatë vitit 2025, konstatohen në total 131 hetime të filluara me kallëzime dhe referime nga individë dhe institucione, duke ruajtur një trend të ngjashëm me vitin paraardhës (132 hetime). Në ndryshim nga viti 2024, të dhënat statistikore tregojnë se hetimet e filluara me referime nga Policia e Shtetit, për vitin 2025 kanë shënuar një rritje me rreth 70%, nga 30 në 2024 në 51 në 2025.

Hetimet e filluara me kallëzime nga shtetas, vijojnë të mbeten të larta për të tretin vit radhazi. Për vitin 2025, ato zënë rreth 33.5% të totalit, duke konfirmuar sërish besimin e lartë të publikut tek Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjatë vitit 2025, hetimet e filluara me kallëzime nga institucionet publikë kanë shënuar një rritje të lehtë, krahasimisht me të njëjtin tregues të vitit 2024. Ndërkohë, vihet re një rënie e ndjeshme, si për hetimet e filluara me referime nga persona juridikë (me rreth 75%) ashtu edhe për ato të referuara nga subjekte politike (pothuajse e përgjysmuar).

SPAK ka shënuar një rritje të ndjeshme të qasjes proaktive në hetime. Nga 294 procedime penale të reja të regjistruara në vitin 2025, 109 janë nisur kryesisht nga Prokuroria e Posaçme, që përfaqëson rreth 37% të totalit, duke u rritur ndjeshëm krahasuar me 19.8% në vitin 2024 (65 hetime kryesisht nga 328 procedime të reja). Kjo tregon një fokus më të madh të institucionit në nisjen e hetimeve kryesisht, duke forcuar kontrollin dhe drejtimin strategjik të çështjeve. Ky fokus është mbështetur edhe nga aksesi i sigurt në 22 sisteme dhe databaza shtetërore, përfshirë 3 sisteme të reja, që kanë përmirësuar ndjeshëm shpejtësinë, sigurinë dhe eficiencën e proceseve hetimore.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

VRASJET

Hetimet e përbashkëta me autoritetet ndërkombëtare kanë dokumentuar se, vrasjet e sofistikuara përbëjnë një aktivitet tjetër karakteristik të disa grupeve kriminale shqiptare, të procedura gjatë këtij viti. Shpesh, vrasjet me pagesë ishin të lidhura me hakmarrje dhe konflikte mes grupeve kriminale. Struktura operative e këtyre grupeve ishte hierarkike, ku drejtuesi koordinonin planifikimin e ekzekutimeve dhe anëtarët siguronin ekzekutorë, armë, dhe mjete eksplozive për realizimin e krimeve. Veprimtaria e këtyre grupeve përfshinte: ekzekutime me armë zjarri, shpërthime të automjeteve me eksploziv, tentativa për eliminimin e kundërshtarëve, fshehje të kufomave dhe sigurimin e mjeteve materiale.

Një aspekt i veçantë i hetimeve ka qenë dokumentimi i lidhjes mes vrasjeve me pagesë dhe pastrimit të parave të përftuara nga aktiviteti i trafikut të drogës, që vinte kryesisht nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe Shqipërisë. Paratë përdoreshin për pagesa për ekzekutorët, blerje armësh, investime në sektorin e pasurive të patundshme dhe aktivitete private tregtare. Hetimet evidentuan gjithashtu, përdorimin e komunikimeve të koduara për planifikimin e ekzekutimeve, paralajmërimet për kontrolle dhe koordinimin logjistik. Grupet kriminale kryenin veprime të koordinuara në kohë dhe vend të caktuar, duke rrezikuar jo vetëm jetën e kundërshtarëve, por edhe atë të personave të pafajshëm, që ndodheshin në vendngjarje.

TRAFIKU I ARMËVE

Trafiku i armëve vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues, sidomos kur grupet kriminale të përfshira në këtë aktivitet janë të lidhura me rrjetet e trafikut ndërkombëtar. Një nga rastet e provuara nga SPAK ilustron qartë tipologjinë dhe sofistikimin e këtyre grupeve. Hetimet zbuluan se, grupi kishte ndërtuar një skemë të sofistikuar logjistike dhe operacionale për të dërguar armë në Mbretërinë e Bashkuar. Disa ambiente në periferi të Tiranës shërbenin për fshehjen e armëve brenda pjesëve të mobilieve, ndërsa anëtarët e grupit kriminal siguronin që ato të mbeteshin të padukshme për kontrollet policore dhe doganore. Për të shmangur zbulimin, grupi përdorte dokumente dhe gjeneralitete të rreme gjatë transportit dhe dorëzimit të armëve, duke e mbajtur aktivitetin nën kontrollin e plotë të organizatorëve.

Struktura organizative e grupit ishte e ndarë në dy nëngrupe të qarta, njëri vepronte në Shqipëri dhe tjetri në Mbretërinë e Bashkuar. Nëngrupi shqiptar ishte përgjegjës për mbledhjen, fshehjen dhe transportin e armëve, ndërsa nëngrupi i vendosur në Mbretërinë e Bashkuar merrej me pritjen dhe shpërndarjen e tyre. Bashkëpunimi mes nëngrupeve garantonte suksesin e veprimeve dhe të organizimit dhe shmangien e kapjes nga agjencitë ligjzbatuese. Çdo anëtar kishte role të qarta dhe të ndara, duke përfshirë drejtimin, mbikëqyrjen, transportin, pritjen dhe sigurimin e armëve gjatë gjithë zinxhirit të trafikut.

KRIMI I ORGANIZUAR

Gjatë vitit 2025, vihet re se, aktiviteti i grupeve kriminale ka shfaqur një nivel të lartë organizimi, specializimi dhe të shtrirjes ndërkombëtare, veçanërisht në trafikimin e kokainës dhe drogave të tjera drejt tregjeve të BE-së. Këto grupe kanë operuar përmes zinxhirëve të mirëorganizuar të furnizimit, transportit, magazinimit, shpërndarjes dhe transferimit të përfitimeve financiare, duke shfrytëzuar rrugët detare, ajrore, tokësore dhe infrastrukturën financiare ndërkombëtare. Veprimtaria kriminale karakterizohet nga një ndarje e qartë e roleve, përdorimi i komunikimeve të enkriptuara, krijimi i subjekteve tregtare fiktive. Po ashtu, trafiku i narkotikëve është ndërthurur me forma të tjera të korrupsionit, pastrimit të parave, duke rritur ndjeshëm rrezikshmërinë dhe kompleksitetin e grupeve kriminale, që veprojnë në Shqipëri, apo atyre që drejtohen ose dominohen nga shtetas me kombësi shqiptare, jashtë vendit. Vihet re se, shumica e aktiviteteve të rënda kriminale të këtyre grupeve zhvillohet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa Shqipëria përdoret kryesisht për pastrimin e produkteve të veprës penale, si vend tranziti, rekrutimi dhe qendër koordinimi, e aktiviteteve kriminale kryesore.

Me risk më të ulët trafiku i qenieve njerëzore dhe aktet e terrorizmit

Në raportin vjetor ku pasqyrohet puna e strukturës përgjatë vitit 2025, SPAK tregon me shifra riskun për kryerjen e veprave penale nga grupe të strukturuara si dhe për shifrat e terrorizmit. Ndër veprat penale kryesore, nga hetimi i vitit 2025 vihet re se, shumica e tyre kanë tendencë të kryhen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal (54%) dhe kjo formë e kryerjes së këtyre veprave penale vijon të mbetet shqetësuese dhe me risk të lartë. Riskun më të madh ndër veprat penale e paraqet trafikimi i narkotikëve (28.4%), pasuar nga pastrimi i produkteve të veprës penale (24.3%). Veprat penale të lidhura me terrorizmin (12%), paçka nivelit të rënies së tyre, konsiderohen me risk mesatar për shkak të ndikimit të tyre në sigurinë kombëtare dhe publike, ndërsa mashtrimi kompjuterik (4.5%) dhe trafiku i qenieve njerëzore (1.4%) kanë risk më të ulët, por kërkojnë monitorim për pasojat sociale dhe karakterin ndërkufitar të tyre. Në tërësi, trafiku i narkotikëve dhe pastrimi i parave në kuadër të krimit të organizuar mbeten vepra penale më me prioritet për SPAK.

SPAK ka identifikuar disa sfida kryesore në funksionimin e institucionit, që kërkojnë ndryshime ligjore të mundshme në Kushtetutë, për të garantuar cilësinë dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë së institucionit. Prokuroria e Posaçme thekson rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi, mospërcaktimi i qartë ligjor e përfundimit të mandatit të prokurorëve, bashkëpunimi me institucionet e tjera apo dhe me ato ndërkombëtare.

“1. Sfidat në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë – Hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta paraqet sfida të rëndësishme për SPAK. Gjithashtu, retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e institucionit, si dhe mund të shërbejë edhe si faktor nxitës për rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi i organizuar. SPAK do ti konsideronte veçanërisht shqetësuese ato nisma ose masa me karakter ligjor dhe institucional, që do të synonin kufizimin e mjeteve proceduriale dhe pavarësinë e saj. Ndërhyrje të tilla do të përbenin rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës.

2. Statusi i prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit – Mospërcaktimi i qartë ligjor kërcënon vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar në besimin e publikut dhe në përmbushjen e kërkesave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.

3. Këshilltarët ligjor pranë SPAK – Mungesa e këshilltarëve ligjorë me përvojë krijon vështirësi në cilësinë e hetimeve dhe ndjekjes së çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

4. Bashkëpunimi me institucionet publike – Edhe pse ka rritje të referimeve dhe shkëmbimit të informacionit, niveli i bashkëpunimit duhet të intensifikohet më tej, veçanërisht me Policinë e Shtetit, për të garantuar hetime më të koordinuara dhe efikase. 5. Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve (Case Management System) – Konsolidimi i mëtejshëm i moduleve ekzistuese dhe integrimi i funksionaliteteve të reja mbetet prioritet për të përmirësuar ndërveprimin me proceset hetimore dhe procedurale të të dhënave, duke siguruar monitorim më të mirë të progresit të çështjeve.

6. Njësia e analizës – Ngritja e një strukture të specializuar për mbështetjen e hetimeve komplekse, matjet e riskut dhe raportimet kombëtare dhe ndërkombëtare vazhdon të mbetet sfidë, duke kërkuar bashkëpunim të vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtarë.

7. Specialisti Ndërlidhës – Statusi i specialistit ndërlidhës si nëpunës civil nuk përputhet plotësisht me funksionet, që duhet të kryejë sipas ligjit nr. 95/2016, duke e bërë të nevojshme përcaktimin e qartë të pozicionit dhe kompetencave për të garantuar efektivitetin e rolit.

8. Shqyrtimi i kërkesave nga autoritetet e huaja – Mungesa e kompetencës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja, përfshirë procedurat e ekstradimit, mbetet problematike dhe ndikon vijimësinë e hetimeve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

9. Kompetenca e Gjykatave të Posaçme – Mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale për subjektet e posaçme detyron që këto çështje të trajtohen nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, duke rritur kohëzgjatjen dhe kompleksitetin procedural.

10. Ekstradimi/deportimi i shtetasve shqiptarë Edhe pse ka përmirësime në bashkëpunimin me disa shtete, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, procesi i ekstradimit vazhdon të jetë sfidues dhe kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për të garantuar ekzekutimin e vendimeve penale jashtë vendit”, thuhet në raport.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?