Raporti për emigrantët, shqiptarët të dytët në Itali

U prezantua në Romë Raporti i 25-të mbi situatën e emigracionit në Itali hartuar nga Karitas Italia e Fondacioni Migrantes.

Sipas këtij Raporti, i cili i referohet të dhënave statistikore për vitin 2015, emigrantët shqiptarë konfirmohen si komuniteti i dytë ekstrakomunitar  më i madh në numër i pranishëm në territorin italian.

Deri në fund të vitit 2015 në Itali jetojnë 5.014.437 emigrantë të rregullt e emigrantët shqiptarë renditen në vend të dytë për nga numri duke përbërë 12.7% të tyre, Në vend të parë gjenden emigrantët me origjinë nga Maroku që përbëjnë 13.2% të numrit të përgjithshëm.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjithashtu emigrantët shqiptarë  renditen po në vend të dytë për sa i përket numrit të emigrantëve që përgjatë vitit 2015 kanë mundur të marrin nënshtetësinë italiane.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndër 129.887 nënshtetësi italiane dhënë emigrantëve të cilët kanë përmbushur kërkesat kohore e administrative për marrjen e saj, 16,4% janë emigrantë shqiptarë. Shumica e nënshtetasve të rinj italianë i përkasin emigrantëve të brezit të dytë, pra fëmijëve të emigrantëve që sapo kanë mbushur moshën madhore 18 vjeç.

Sipas Raportit të Karitas Italia rreth 50% e emigrantëve në Itali kanë një kontratë të rregullt e të përhershme pune, por rreth 41.7% e emigrantëve punonjës paguhen rreth 30% më pak se sa një punëtor italian.

Hartuesit e studiuesit e këtij Raporti kanë theksuar faktin se ndryshe nga opinioni i përgjithshëm që ekziston në Itali se vendi po pushtohet nga emigrantët, ky Raport me anë të shifrave tregon se situata e emigracionit në Itali është mjaft e qëndrueshme. Viti 2015 ka shënuar vetëm 11 mijë emigrantë të rinj më shumë se një vit më parë, por pa harruar se Italia renditet në vendin e 11 në botë për nga numri i emigrantëve të pranishëm në vend.

Për sa i përket krimeve të kryera nga emigrantët e numrit të të burgosurve, Raporti Karitas Italia konfirmon se ndër 52.164 të burgosur në burgjet italiane, 17.340 prej tyre janë emigrantë. Të burgosurit me kombësi shqiptare janë rreth 2.423 persona, duke u renditur në vend të 3 për nga numri pas të burgosurve me kombësi marokene e rumune.

Gjatë prezantimit të këtij Raporti në Romë, Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Episkopale italiane Nunzio Galantino u shpreh se “Italia ka nevojë për emigrantët!”

“Masakra e Dakës e jo vetëm, tha ai, evidetoj një dallim të fortë mes emigracionit e terrorizmit, evidentoj faktin se atentatorët nuk kanë mbërritur në Belgjikë, Francë apo Bangladesh me gomone,por janë të rinj pinjoll të familjeve të rëndësishme e me mundësi mjaft të mira ekonomike.”

Hartuesit e Raportit Karitas Italia kanë kërkuar nga shteti italian rinovimin e impenjimeve politike për t’i garantuar emigrantëve, të drejtën e nënshtetësisë, të drejtën e votës, e mbështetje ekonomike sociale e njëjtë e pa dallime mes shtetasve italianë e emigrantëve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?