Raporti sekret për kanabisin: Dy baxhanakët e drogës në polici
Një tjetër operacion antitrafik i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza është zhvilluar pasditen e së shtunës, ku është sekuestruar një skaf me 533.5 kilogramë kanabis sativa, me dy shtetas italianë në bord.
Rreth orës12.50, Qendra Ndërkombëtare Operacionale Detare në Durrës, ka njoftuar për një mjet që lëvizte me shpejtësi nga perëndimi në drejtim të kepit të Rodonit.
Menjëherë u vunë në lëvizje mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe Migracionit, të Guardia di Finanza dhe u njoftua INTERFORCA.
Ndjekja nga Policia Kufitare dhe Guardia di Finanza vazhdoi deri në ujërat ndërkombëtare.
Në këtë kohë, mjetet aeronautike dhe detare italiane të GdF hynë në veprim dhe rreth orës 19.00, në momentin e hyrjes në ujërat italiane, u identifikua dhe ndalua mjeti i lundrimit me dy persona në bord dhe me ngarkesën me lëndë narkotike prej 533.5 kilogramë.
Drejtuesit e mjetit ishin dy shtetas italianë: A.M., 38 vjeç dhe A.C., 60 vjeç, të dy nga Brindisi.
Guardia di Finanza ndaloi dy skafistët dhe sekuestroi ngarkesën me kanabis.
Ndërkohë, e përditshmja Shekulli, publikoi të dielën pjesë nga një raport sekret ndërkombëtar për kultivimin e kanabisit në Shqipëri.
Raporti thuhet se është përgatitur nga një bashkëpunim italo-gjerman.
Ata kanë kryer një monitorim nga ajri.
“Pamjet e siguruara nga këta avionë edhe një herë treguan se informaciont që kishin, ishin të sakta dhe se nuk përputheshin me informacionet nga Ministria e Brendshme shqiptare”, thuhet në raport.
Sipas raportit, të implikuar në trafik janë zyrtarë të lartë të policisë, ku më shqetësues është rasti i dy baxhanakëve.
“Një shqetësim i veçantë është rasti i dy drejtorëve të policisë së dy qarqeve kufitare, që mbajnë edhe sipërfaqet ndër më të mëdhatë për kultivimin e bimës narkotike, të cilët me njëri-tjetrin janë lidhje familjare (baxhanakë) si dhe lidhja të afërta të MB. Këto zona janë problematike për kalimin e drogës drejt Italisë dhe Greqisë”.
Në raport theksohet se kultivimi i kanabisit sjell rënien e shtetit ligjor, çka përbën edhe shqetësimin kryesor.
Shekulli njofton në faqe të parë se bëhet fjalë për 36.300 hektarë të mbjellë.
KOHA JONË SONDAZH

