Reagime ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë për imunitetin e ish-presidentit Trump

Në vendimin historik të së hënës, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara deklaroi për herë të parë se ish-presidentët mund të kenë imunitet nga hetimet, për të paktën një pjesë të veprimtarisë së tyre gjatë ushtrimit të detyrës.

Gjykata e riktheu gjithashtu çështjen tek gjykata e nivelit më të ulët për të shqyrtuar më tej nëse elementët thelbësorë të padisë në Uashington ndaj ish-Presidentit Donald Trump kanë të bëjnë apo jo me veprimtarinë zyrtare të tij gjatë kohës që ishte në detyrë.

Vendimi i Gjykatës së Lartë ka shkaktuar reagime të forta. Në vazhdim një përmbledhje e disa prej këtyre qëndrimeve.

Drejtuesi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve

Hakeem Jeffries, udhëheqës i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se demokratët do t’i përgjigjen vendimit të gjykatës me “një mbikëqyrje agresive dhe aktivitet legjislativ”, nëse fitojnë sërish shumicën në nëntor.

“Hartuesit e Kushtetutës synonin një demokraci të qeverisur nga shteti ligjor dhe me miratimin e popullit amerikan”, tha përmes një deklarate ligjvënësi Jeffries. “Ata nuk donin që vendi ynë të qeverisej nga një mbret, apo monark që do të vepronte me pandëshkueshmëri të plotë”.

Zyrtarët e fushatës elektorale të Presidentit Biden

Ekipi elektoral i Presidentit Joe Biden u shpreh në një deklaratë se vendimi i Gjykatës së Lartë “nuk ndryshon faktet” për ngjarjet e 6 janarit 2021.

“Le të jemi shumë të qartë për ato çfarë ndodhën më 6 janar: Donald Trump-i shpërtheu pasi humbi zgjedhjet e 2020-ës dhe inkurajoi turmën që të përmbysnin rezultatet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, thuhet në deklaratën e ekipit elektoral të Presidentit Biden. “Trump-i po kandidon për president tashmë si një i dënuar për vepra penale, për të njëjtën arsye që qëndroi duarkryq ndërsa turma sulmoi dhunshëm Kapitolin: ai mendon se është mbi ligjin dhe është i gatshëm të bëjë çdo gjë për ta marrë pushtetin dhe për ta mbajtur atë për veten e tij”.

Deklarata e akuzon ish-presidentin se “ka dalë gjithnjë e më shumë nga kontrolli” që nga sulmi ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan dhe se Presidenti Biden do të sigurohet që amerikanët do t’i refuzojnë “njëherë e mirë” këtë nëntor përpjekjet e zotit Trump për të rimarrë pushtetin.

SHKARKO APP