Reagimi zyrtar i Policisë për sulmin ndaj Ramës

 

Policia e Tiranës ka hedhur poshtë akuzat për ushtrim dhune ndaj protestusve që sulmuan me vezë dhe sende të tjera mjetin e Kryeministrit Rama.

Përmes një njoftimi për shtyp, blutë e Tiranës kanë pohuar se gjatë shoqërimit nuk është përdorur në asnjë moment dhunë fizike.

“Sqarojmë publikun se nga Policia e Shtetit nuk është keqtrajtuar askush, si dhe përgënjeshtrojmë çdo pretendim të cilësdo Partie politike që akuzon Policinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve.

Policia e Tiranës ka ushtruar detyrën brenda normave dhe procedurave standarde të punës, duke angazhuar efektive femra policie për të kryer shoqërimin e femrave që u përfshinë në incident, si edhe forca të tjera për shoqërimin e të rinjve”, citohet reagimi i policisë vendore.

Policia thekson se në zbatim të ligjit është ndërhyrë menjëherë, së bashku me forcat e Sigurisë së Gardës së Republikës duke shoqëruar studentët në rajonin më të afërt.

Pas kësaj, 8 të shoqëruarit, janë dërguar në ambjentet e Drejtorisë Vendore ku po merren në pyetje për rrethanat e ngjarjes.

Policia e Shtetit ka bërë detyrën, edhe në kushtet kur ndaj punonjësve të policisë që po bënin ndalimin e studentëve, disa të rinj u përpoqën fizikisht t’i ndalonin të zbatonin ligjin.

Policia e Shtetit thekson angazhimin për të garantuar të drejtat dhe liritë e çdo qytetari, përfishirë edhe qytetarëve që duan të protestojnë, por kjo mund të bëhet vetëm duke respektuar ligjin. 

Shkelja e pretenduar e të drejtave, nuk bëhet kurrë duke shkelur ligjin”, thuhet në njoftim.

SHKARKO APP