“Reagimin e Ramës e quaj si një aksident”, Andoni: Tirana nuk e njeh mirë historinë e Kosovës
Befasisht është hapur një diskutim për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe kjo vjen pas ardhjes së këngëtarit serb në ”Festën e Birrës” në Korçë. Analisti Ben Andoni teksa komentoi reagimin e një dite më parë të kryeministrit në lidhje me Kosovën.
“Reagimin e Ramës e quaj si një aksident. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për diçka, empatia për Kosovën nuk duhet të jetë vetëm për kohën e luftës, por edhe situatën aktuale. Kosova i ngjan diçkaje që akoma është duke lëpirën plagët e veta që nuk kanë ikur. Kosova ka shumë dhimbje dhe këto nuk janë vetëm nga 1999, por edhe shumë më herët”.
Nga ana tjetër ai thotë edhe se Tirana nuk e njeh mirë historinë e Kosovës. “Mendoj se ka një problem edhe në Kosovë. Do të më pëlqente që të ishte indiferente dhe nga ana tjetër të vinte në pah gjërat që Tirana nuk njeh për Kosovën. Më vjen keq ta them, por në Shqipëri nuk njihet historia e Kosovës dhe kjo është një fatkeqësi shumë e madhe. Mesa shikoj edhe kosovarët vetë nuk e njohin historinë e tyre, e cila është një histori e dhimbshme, aspak e lehtë sa i përket ngjarjeve. Rama duhet të jetë i rrethuar nga njerëz më të kujdesshëm që ta këshillojnë përpara ngjarjeve të tilla. Përfshirja e shumë njerëzve në debat, më duket se më shumë janë për të larguar vëmendjen nga gjërat reale në dy vendet tona”, u shpreh Andoni për ”A2cnn”.