Reagojnë SHBA dhe BE për protestën para bashkisë: Dënojmë dhunën e opozitës sot para Bashkisë!

Ambasada Amerikane dhe ajo e Bashkimit Europian në Tiranë kanë reaguar ashpër lidhur me protestën që mbajti sot opozita para Bashkisë së Tiranës.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Në një postim në X, delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë shprehet se akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, si edhe s’kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore.

Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete ndezëse të improvizuara në godinën e bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, shkruhet në postimin në X.

SHKARKO APP