Reagon Bashkia Lezhë mbi skandalin e historianit turk, shpallet “non grata”

Pas publikimit në “Koha Jonë” të skandalit mbi fyerjen e figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeu nga historiani turk, Talha Uğurluel gjatë një vizite në Lezhë ka mbërritur reagimi i parë institucional (por deri tani vetëm në nivel lokal). Është pikërisht Bashkia e qytetit të Lezhës, e cila ka dhënë sqarimet e saj lidhur me ngjarjen e paprecedentë të ndodhur tek varri i heroit kombëtar. Vetë Bashkia, nëpërmjet zëdhënësit të saj, dënon gjuhën e përdorur të historianit dhe vizitorëve turq dhe e cilëson si pabesi atë çka ka ndodhur.

Ja reagimi i plotë i Bashkisë, mbërritur në redaksinë e gazetës “Koha Jonë”:

“Bashkia e Lezhës dënon gjuhën e përdorur dhe pabesinë e një grupi vizitorësh turq, të cilët gjatë një vizite në Memorialin e Skenderbeut, duke shfrytëzuar mikpritjen, një vlerë universale të Kombit Shqiptar, shpërfytyrohen duke tentuar të tjetersojnë lavdinë e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Përmes një videoje të regjistruar nga vetë ata përmes një telefoni celular nuk zhbëhet historia. Sqarojmë opinionin publik se grupi nga Turqia ka folur në gjuhën turke dhe nuk ka pranuar të komunikojë me ciceronin në gjuhën agleze, pasi kanë kuptuar se gjuha e tyre nuk kuptohej nga personeli i turnit pranë memorialit. Gjergj Kastrioti dhe lavdia e tij në luftën antiosmane nuk errësohet nga një “historian” turk, të cilin Bashkia e Lezhës nuk do ta lejojë më që të vizitojë Memorialin. Nder dhe Lavdi të perjetshme Heroit të Kombit Shqiptar, Gjergj Kastrioti!”.

Swiss Digital Desktop Reklama

 

Swiss Digital Mobile Reklama

Kështu e mbyll reagimin e saj, Bashkia Lezhë, e cila e ka shpallur “non grata” në këtë qytet historianin turk, që guxoi të shpifte ndaj figurës dhe emrit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Historiani turk, që tashmë është i padëshiruar në qytetin e Lezhës njihet si një studiues i periudhës osmane. Veç publikimeve historike ai drejton edhe disa ture turistike për qytetarët turq në vendet e rajonit. Qëllimi i tureve është njohja e historisë së Perandorisë turke në zonat kur dikur shtrihej perandoria. Fjalimi që mbante në videon e publikuar ditën e djeshme në “Koha Jonë” ishte pjesë e leksioneve që ai mban edhe në universitetet turke, fatkeqësisht me shumë mllef e gënjeshtra për heroin dhe historinë tonë.

Përtej sqarimit të Bashkisë së qytetit të Lezhës, I cili duhet vlerësuar, opinioni publik në vendin tonë pret  reagime edhe nga Ministria e Kulturës, apo edhe nga institucionet e tjera të Trashëgimisë Kulturore dhe Historike.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?