Reagon Bechetti: Nuk ka gjyq për ekstradimin deri vitin tjetër

 

Pas publikimit të lajmit për ndalimin dhe hapjen e procedurave për ekstradimin nga Britania në Shqipëri të biznesmenit italian Francesco Bechetti, ky i fundit ka reaguar nëpërmjet një deklarate për mediat zbardhur nga “The Guardian”.

Sipas gazetës britanike, pronari i televizionit “Agon Channel”, do të ketë një seancë procedurale në datën 7 dhjetor të këtij viti në Londër, ku do të nisë shqyrtimi i kërkesës së palës shqiptare për ekstradim.

Në reagimin e tij, vet Bechetti, deklaron se nuk do të ketë një seancë substanciale gjyqësore për ekstradimin deri vitin e ardhshëm.

“Një seancë substanciale nuk do organizohet deri vitin që vjen. Sigurisht nuk është marrë asnjë vendim për ekstradimin e tij. Beketi dhe avokatët e tij besojnë se mbrojtja e tij është e fortë”- thuhet në deklaratën për shtyp të publikuar nga “The Guardian”.

Bechetti mohon kategorikisht akuzat e prokurorisë shqiptare që sipas tij janë të pabaza.

“Bechetti mohon me forcë akuzat ndaj tij si të pambështetura në prova. Qeveria shqiptare po i ngre pretendime si reagime ndaj dy gjyqeve të arbitrazhit të nisura nga kompani të lidhura me zotin Beketi kundër qeverisë për shuma të mëdha parash. Paditë janë presion ndaj zotit Beketi për të zgjidhur këto arbitrazhe”- thuhet më tej në deklaratën për shtyp.

SHKARKO APP