Reagon Dritan Leli: Prita online por nuk u paraqit askush. Ndryshuan datën pa dhënë sqarime
Vijon të ketë përplasje dhe mosdakordësi për zhvillimin e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Vlorës. Ditën e sotme ishte parashikuar zhvillimi i një takimi në orën 10:00, datë e përcaktuar nga Këshilli Bashkiak.
Dritan Leli, përmes një postimi në rrjete sociale, thotë se është paraqitur online por askush nuk është paraqitur, ndërkaq mësohet se Këshilltarët janë mbledhur në ambientet e teatrit “Petro Marko në Vlorë.
Kryebashkiaku Leli shpjegon se ai ka kërkuar që mbledhja të zhvillohej në datë 29 por këshilli e vendosi në datë 30 pa asnjë sqarim.
Më tej ai thotë se mbledhjet e bashkisë duhet të përcaktohen me dakordësinë paraprake të kryebashkiakut për të qenë prezent.
“Dua të njoftoj ju pjesëmarrësit dhe qytetarët e Vlorës. I kam dërguar dje një letër kryetares së Këshillit Bashkiak ku e kam informuar se në përgjigje të kërkesës tuaj me nr. 9824, datë 24 qershor, ju është kërkuar të caktoni datën 29 për mbledhje të Këshillit të Bashkisë të cilën ju e keni refuzuar duke caktuar pak orë pas kërkesës time, datën 30 qershor pa asnjë sqarim. Me një kërkesë tjetër u është bërë me dije se për një aktivitet të organizuar më parë, kryebashkiaku nuk mund të marrë pjesë në mbledhjen e 30 qershorit. Pavarësisht mungesës, administrata e bashkisë dhe nënkryetari do jetë prezent në mbledhjen e datës 30 qershor siç jemi tani, e shtyva këtë aktivitet.
Kjo mbledhje nuk mund të zhvillohet veçse online pasi janë në fuqi masat e përcaktuara nga grupi i ekspertëve. Në rastin konkret, përgjegjësia ligjore për organizimin e Këshillit Bashkiak i takon administratës dhe kryebashkiakut ndërkohë që sjellim në vëmendjen tuaj se përgjegjësia e organizimit të eventeve ndryshe nga ajo që parashtruar më lartë, u takon organizatorëve. Ju rikujtojmë që datat për mbledhjen e Bashkisë duhet të përcaktohen me dakordësinë paraprake të kryebashkiakut për të qenë prezent”,- tha Leli.