Reagon Zagani: Mos më përdorni politikisht!

 

Ish-oficeri i policisë, Dritan Zagani, ka reaguar përmes një komenti në rrjetet sociale ndaj atij që e ka cilësuar si “përdorim për qëllime politike” të deklaratave të tij në lidhje me trafikun e organizuar të drogës.

Konkretisht, në një status në “Facebook”, ai shprehet:

“Së pari, unë jam një person që në jetën time as nuk kam qenë i angazhuar, as nuk do jem ndonjëherë pjesë e politikes në asnjë lloj forme apo bashkëpunimi me ta (këtë e them për të gjithë, majtas, djathtas apo lesh e li të qendrës qofshin).

Së dyti, do t’u lutem përfaqësuesve të politikës që në politikë-bërjen e tyre t’i lënë insinuatat politike në lidhje me mua, dhe të shikojnë anën ligjore përsa i përket asaj që unë kam thënë, do ta them e mbroj derisa të kem frymë, që është lufta kundër këtyre trafikantëve të paskrupullt, që me veprimtarinë e tyre kriminale dhe mbështetjen në forma të ndryshme të politikës na bëjnë të ndihemi si plehra para mbarë opinionit ndërkombëtar.

Së treti, zotërinj, unë kam qenë dhe në dashtë Zoti të dalë e drejta ime do jem përsëri vetëm një funksionar i shtetit në profesionin tim që është ai i oficerit të Policisë së Shtetit, dhe asnjëherë shërbëtor i partive politike.

Dhe për ta mbyllur, pasi dhe kaq nuk është diçka e imja të merrem me këto gjëra, po ju sqaroj që zgjodha si link këtë të ‘Opinion’-it jo se flet për deklarimet qesharake të një eksponenti të PS-së, por se në fakt këta kanë ca kohë që më akuzojnë si i shitur te kundërshtarët e tyre, të cilët duhet thënë për hir të së vërtetës, që nuk është faji im se këto që unë them po shfrytëzohen politkisht nga PD-ja (dhe mirë bëjnë, se fundja janë opozitë), por është ajo çka unë e ndjej për detyrë ta bëjë ndaj të drejtës sime, familjes sime që t’u kthej jetën e vjedhur nga këta trafikantë me pushtet, si dhe ajo që ndjej për detyrë të bëj për vendin dhe bashkatdhetarët e mi”.

Ish-shefi i Antidrogës në Policinë e Fierit u shpall në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL-i më 23 tetor. 43-vjeçari kërkohet nga drejtësia shqiptare pasi ka thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

SHKARKO APP