Redjan Rraja del sot para Gjykatës, si e justifikoi përpjekjen për t’u larguar nga Shqipëria
Do dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe konkretisht në orën 14:00 , i arrestuari i parë për atentatin e Durrësit, Redjan Rraja. Seanca pritet të drejtohet nga gjyqtarja për Krimet e Rënda, Daniela Shirka.
I dyshuari Rraja, sipas burimeve jo zyrtare, ka marrë si avokat mbrojtës avokatin Besnik Cerekja, një jurist i njohur për çështje të forta. Disa orë përpara seancës ku do të shqyrtohen kushtet e arrestimit të Redjan Rrajës, avokati i tij i tha gazetares Hoxha se e ka kontaktuar Redjan Rrajën, por avokati u tregua i rezervuar dhe nuk dha asnjë koment mbi çështjen.
34-vjeçari mbahet në ambientet e Policisë së Tiranës dhe pritet të shoqërohet në mesditë në Gjykatë nën masa të forta policore.
I pyetur më herët për ngjarjen, Rraja ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë sipas burimeve “se po largohej me makinën e tij drejt Italisë për punë personale”.
Megjithatë policia ka konstatuar gjurmë të të riut nga Nikla, në automjetin e braktisur në fshatin Shkafanë.
Redjan Rraja është i dyshuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, Aleksandër Lahos dhe Andi Malokut. Të tre ata po trajtohen në spital dhe po ruhen gjithashtu nga policia.
Ndërkohë pas arrestimit të Rrajës, policia ka vijuar kontrollet edhe gjatë mbrëmjes, ndërkohë që hetimet kryesohen nga prokurorët Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj. TCH