Referendumi në PD me një kandidat të vetëm, Vokshi: 24 mijë anëtarë më pak se në 2021
Sot në mbarë vendin po zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të Partia Demokratike, ku në garë është vetëm kandidati aktual, Sali Berisha. Rreth 51 mijë anëtarë të partisë janë thirrur të marrin pjesë në votim, një shifër dukshëm më e ulët krahasuar me vitin 2021, kur të drejtën e votës e kishin rreth 75 mijë anëtarë. Procesi ka nisur në orën 08:00 dhe po zhvillohet në mbi 90 qendra votimi të shpërndara në të gjithë Shqipërinë.
Në disa degë kryesore të partisë, pjesëmarrja ndryshon sipas qarqeve. Në Shkodër janë rreth 6800 anëtarë me të drejtë vote, të ndarë në tri qendra votimi, ndërsa në Korçë numri i votuesve aktivë llogaritet rreth 5 mijë, me një pjesëmarrje të pritshme deri në 1500 persona. Në Maliq, Kolonjë, Devoll dhe Pogradec raportohen shifra më të vogla anëtarësh aktivë, me pjesëmarrje që varion nga 500 deri në 1200 votues në secilën zonë.
Në Vlorë, lista përfshin rreth 1600 anëtarë, ndërsa në Fier dhe degët përreth pjesëmarrja pritet të jetë mbi 60–70 për qind e anëtarësisë aktive. Edhe në qarkun e Elbasanit, Lezhës, Dibrës dhe Gjirokastrës, procesi është shpërndarë në disa bashki, me mijëra anëtarë të regjistruar në lista dhe pjesëmarrje të pritshme që ndryshon sipas degëve lokale.
Gjatë ditës janë raportuar edhe reagime politike dhe qytetare. Disa demokratë kanë kritikuar procesin, duke e quajtur “farsë” për shkak të mungesës së një gare me kandidatë alternativë, ndërsa të tjerë kanë vlerësuar se votimi po zhvillohet normalisht dhe sipas statutit të partisë.
Vetë Berisha ka marrë pjesë në votim, në një proces ku ai është i vetmi emër në fletën e votimit. Deputetë dhe figura të ndryshme të PD-së kanë dhënë deklarata të ndryshme gjatë ditës, disa duke theksuar normalitetin e procesit dhe të tjerë duke ngritur pikëpyetje mbi karakterin demokratik të tij.
Procesi pritet të përfundojë në orën 18:00, ndërsa më pas do të bëhet numërimi dhe shpallja e rezultatit përfundimtar.
KOHA JONË SONDAZH

