Reforma në drejtësi po votohet nen për nen pa opozitën
Nuk kanë sjellë shumë surpriza orët e fundit për fatin e draftit të reformës në drejtësi, teksa votimi nen për nen i draftit përfundimtar po bëhet dhe pa praninë e opozitës dhe në sytë e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin. Drafti final me bekimin e ndërkombëtarëve ka mbërritur në komisionin e posaçëm parlamentar dhe pritet të marrë miratimin përfundimtar dhe pa konsensusin e opozitës. Në komision kanë qënë të pranishëm edhe përfaqësuesit e PD, të cilët braktisën mbledhjen pak minuta pas fillimit të saj, ndërkohë që sërish çdo diskutim apo vendimmarrje do të mbahet nën vëzhgimin e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin. Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura për median ndërsa pas saj pritet të kuptohen dhe qëndrimet përfundimtare të palëve për reformën. PS ka ofruar kompromis për PD për një zgjidhje teknike rreth emërimeve për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë përtej formulës së vendeve të rezervuara.
Ndërsa për dy institucionet e tjera që do krijohen për ‘vettingun’ e gjyqtarëve dhe prokurorëve kryeministri Rama ka bërë të ditur se nuk do të ketë asnjë kompromis me PD dhe se anëtarët e këtyre dy organizmave të rinj do të zgjidhen me shumicë të cilësuar pra me 3/5.
Nga ana tjetër PD kërkon vendet e rezervuara jo vetëm për KLGJ dhe KLP por edhe për institucionet që do vlerësojnë nesër pastërtinë dhe integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
LSI nga ana tjetër kërkon gjetjen e një kompromisi PD-PS për çështjen e përfshirjes së opozitës në procesin e përzgjedhjes së përfaqësuesve të rinj të sistemit të drejtësisë por deklaron se nëse PD do të ketë pretekst tjetër atëherë drafti do të shkojnë në seancë pa miratimin e opozitës.
Orët e nxehta të kësaj të marte politike nën sytë e ndërkombëtare pritet të sqarojnë sot jo vetëm fatin e draftit final të reformës në drejtësi por edhe qëndrimet përfundimtarë të tre palëve.
Drafti i reformës në drejtësi po votohet nen për nen pa praninë e përfaqësuesve të opozitës. Deputetët e Partisë Demokratike braktisën mbledhjen pak pas fillimit të saj. Demokratët kërkuan adaptimin në draftin përfundimtar të rekomandimit numër 88 të Komisionit të Venecias për vendet e rezervuara në katër institucionet e reja të drejtësisë. Nënkryetari demokrat i komisionit ad hoc, Oerd Bylykbashi u shpreh se kushti i opozitës është adaptimi i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias, për formulën e vendeve të rezervuara në institucionet e reja të drejtësisë.
Nënkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi, u shpreh para mediave se nuk është arritur konsensusi për kërkesat e opozitës. Ai tha se PD i mëshon me forcë adaptimit të rekomandimit numër 88 të Komisionit të Venecias. “Asnjë draft deri më tani nuk pasqyron rekomandimet e Venecias. Pa adaptimin e rekomandimit 88 të Venecias, drejtësia rrezikon të kapet politikisht nga mazhoranca”, u shpreh Bylykbashi. Pritet që nga momenti në moment të përfundojë votimi nen për nen i draftit përfundimtar të reformës në drejtësi për ta kaluar më pas në seancë parlamentare, votim që po bëhet në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë.
KOHA JONË SONDAZH

