Reforma Territoriale, deputeti pas konsultimeve në Prrenjas: “Interesi qytetar mbi çdo përplasje politike”

NGA OLSI KOMICI

 

Pas përfundimit të konsultimeve publike me banorët e Bashkisë Prrenjas, përfshirë Prrenjasin, Qukësin, Stravajin dhe Rrajcën, në lidhje me propozimet për Reformën Territoriale, dua të ndaj disa vlerësime.

Së pari, falënderoj të gjithë qytetarët që morën pjesë në këto dëgjesa dhe shprehën hapur qëndrimet e tyre. Pjesëmarrja dhe mënyra se si u zhvilluan diskutimet treguan qytetari dhe përgjegjësi, me fokus te çështja që prek drejtpërdrejt të ardhmen e komunitetit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Është për t’u vlerësuar fakti që qytetarët nuk e ngatërruan diskutimin për reformën me përplasjet politike, pavarësisht përpjekjeve të disa për ta kthyer një shqetësim komunitar në një debat partiak. Zëri i banorëve mbeti i fokusuar te problemet, shqetësimet dhe argumentet që lidhen me propozimin.

Swiss Digital Mobile Reklama

Konsultimet publike kanë pikërisht këtë qëllim: t’u japin qytetarëve mundësinë të bëjnë pyetje, të ngrenë shqetësime dhe të shprehin qëndrimin e tyre, qoftë në mbështetje apo kundër një propozimi. Askush nuk u kërkua të ishte dakord me një qëndrim të paracaktuar. Qëllimi ishte të dëgjonim qytetarët dhe të kuptonim më mirë shqetësimet e tyre.

Kam dëgjuar me vëmendje të gjithë ata që e kundërshtojnë propozimin, ata që kanë pikëpyetje dhe ata që kanë një këndvështrim tjetër. Tashmë që procesi i konsultimeve ka përfunduar, çdo argument, shqetësim dhe propozim i paraqitur duhet të analizohet me seriozitet dhe përgjegjësi.

Nuk duhet të ketë vend për etiketime apo për ndarjen e Prrenjasit në kampe “pro” dhe “kundër”. Aq më pak kjo çështje duhet të shndërrohet në një përplasje politike apo në një konflikt mes Prrenjasit dhe Librazhdit. Interesi i qytetarëve duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.

Jam lindur dhe jam rritur në Librazhd dhe këtë e them me krenari, por rrënjët e mia lidhen po aq me Pishkashin, Bërzeshtën, Skroskën, Karkavecin, Fanjën dhe Katjelin. Për këtë arsye, nuk mund të mbështes asnjë përpjekje që synon të krijojë përçarje apo urrejtje mes komuniteteve të Librazhdit dhe Prrenjasit.

Kritikat, kundërshtimet dhe mosdakordësitë janë plotësisht legjitime dhe janë pjesë e një debati demokratik. Rëndësi ka që çdo qëndrim të mbështetet mbi fakte, argumente dhe mbi analizën e asojave konkrete që mund të sjellë propozimi. Si deputet i zonës, e kam për detyrë të dëgjoj qytetarët, t’i përfaqësoj dhe të përcjell zërin e tyre, pa ndikuar në atë që ata mendojnë për një çështje që prek drejtpërdrejt jetën e tyre të përditshme.

Do të vazhdoj ta ndjek këtë proces me përgjegjësi, duke qëndruar larg tensioneve politike dhe interesave personale dhe duke i kushtuar vëmendje çdo shqetësimi dhe argumenti konkret.

Në fund, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme për propozimin, të gjithë kemi një qëllim të përbashkët: një Prrenjas më të fortë, më të zhvilluar dhe me më shumë mundësi për qytetarët e tij.

Faleminderit çdo qytetari që mori pjesë dhe e bëri zërin e tij të dëgjohet me qytetari dhe përgjegjësi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?