Refugjatët, BE i shqetësuar: Mund të vërshojnë nga Adriatiku

Ndërsa 13 mijë emigrantët në kampin e Idhomenit në kufi me Maqedoninë vijojnë të mbeten të bllokuar, për shkak të mbylljes totale të kufiri nga Shkupi zyrtar, qindra emigrantë të tjerë  mbërrijnë nga Turqia në shtetin grek, i cili po përballon i vetëm këtë fluks.

Në një tjetër reagim të ashpër të saj kancelaria gjermane Angela Merkel ka deklaruar për radion MRD se Greqia nuk mund të mbajë për shumë kohë e vetme këtë krizë, e cila kërkon një zgjidhje në bllok.

Ajo kritikoi shtetin austriak, sllovak por edhe vendet kandidate si Serbinë e Maqedoninë për mbylljen e të ashtuquajturës “rruga ballkanike”.

Merkel shtoi se të shmangesh nga përgjegjësit nuk do të thotë se e ke zgjidhur problemin.

Unioni dhe Turqia po diskutojnë për një zgjidhje të krizës më të madhe që prej luftës së dytë botërore.

Deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje, e cila pritet të merret gjatë samitit dy ditor të 17-18 marsit.

Ndërkohë mediat e huaja evidentojnë se me mbylljen e kufijve nga ana e Maqedonisë, dy janë rrugëkalimet e reja, Shqipëria dhe Bullgaria, ndonëse nuk ka një fluks emigrantësh drejt këtyre kufijve.

“Ne duhet të mendojmë të gjithë së bashku mbi pasojat që mund të ketë marrëveshja e arritur në parim mes BE-së dhe Turqisë dhe të përgatitemi për skenare të reja, ku përfshihen edhe rrugët alternative”, tha një zyrtar i lartë i bllokut në Bruksel, duke iu referuar ujdisë për mbylljen e rrugës ballkanike.

Se çfarë nënkupton një pakt i tillë, këtë e pranoi mes rreshtash edhe komisioneri i Zgjerimit, Dimitris Avramopoulos.

“Ekziston gjithmonë mundësia që ky fluks njerëzish të devijojë në drejtime të tjera me bllokimin e rrugës së Ballkanit. Për momentin, sidoqoftë, nuk është rasti të shqetësohemi. Të gjitha vendet e rajonit janë të përgatitura për një situatë të tillë”, tha Avramopulos.

Megjithatë, sqaroi ai, nuk ka shenja të ndonjë fluksi migrator drejt Shqipërisë apo ndonjë shteti tjetër në zonë. Sipas Agjencisë europiane të mbrojtjes së kufijve, Frontex, kufirin shqiptaro-grek vitin që shkoi e kaluan ilegalisht vetëm 8,932 emigrantë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë.

SHKARKO APP