Regjimi ”41-Bis”/Kaçorri: Zhduk “kapot” në burgje, ja zbatimi

Drejtori i Policisë së Burgjeve, Bardhyl Kaçorri, e konsideron regjimin e posaçëm “41-Bis” si një garanci për sigurinë e të gjitha institucioneve të sistemit të burgjeve. Në një intervistë për ”Agjencinë Telegrafike Shqiptare”, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të këtij regjimi, pohon ndër të tjera se: ”Ky regjim lidhet me nevojën për të parandaluar kontakte të organizatave kriminale ku bëjnë pjesë këta ose organizata të tjera të cilat këta bashkëpunojnë, ul konfliktet kriminale me elementë të organizatave të tjera ose personave që ka pasur si pjesëtarë kjo organizatë, si dhe nuk jep asnjë lloj mundësie për të rekrutuar elementë të rinj në shërbim të organizatave kriminale, banda të armatosura për qëllime dhe vepra terroriste”.

Sipas tij ky regjim heq të burgosurit VIP. ”Ky ligj implementohet për herë të parë në këtë regjim të posaçëm në sistemin e burgjeve dhe së dyti heq të ashtuquajturit Vip-a, kapo ose diskriminues pozitivë çfarë do të prodhojë në sistemin e burgjeve më shumë siguri dhe qetësi për të gjithë të dënuarit”. Lidhur me vendimin se ku do të implementohet ky ligji, Kaçorri tha se në zbatim të urdhrit të ministres janë përcaktuar dy institucione, institucioni i parë është për të paraburgosurit, i cili është “Jordan Misja”, i njohur si 313 ku do të aplikohet ky regjim, ndërsa institucioni i dytë është IEPV Peqin ku do të aplikohet për të dënuarit.

Për të policia e burgjeve ka kapacitetet e veta për ta implementuar dhe zbatuar këtë lloj regjimi për shumë arsye. ”Ka një personel që ka adaptuar një ligj të tillë edhe në zbatim të ligjit që ka, nenit 55 të “Mbikëqyrjes së veçantë”, çfarë do të thotë që të dënuar ose të paraburgosur kalojnë në këtë regjim me një regjim dhe të drejta pak më shumë se sesa ky lloj regjimi që do të adaptohet tani”.

I pyetur nëse shkelen të drejtat e njeriut në burgje, Kaçorri tha se “të drejtat e njeriut nuk mund të shkelen në sistemin e burgjeve, pasi është një ligj i miratuar nga parlamenti , së dyti të gjithë të dënuarit i gëzojnë të drejtat e tyre, të cilat i kufizojnë me anë të aktivitetit të tyre brenda përbrenda institucionit. Të dënuarve jo vetëm nuk i shkelet e drejta e tyre, por brenda këtij regjimi i lind e drejta për të ankimuar këtë lloj dënimi, gjykata do të japë mendimin e vet pas provave të paraqitura nëse do të vazhdojë ose jo i dënuari më tepër se një vit dënimin”. Drejtori i Policisë së Burgjeve, tha se ky ligj që ka hyrë në fuqi do të ketë si objekt të gjithë të dënuarit dhe të paraburgosurit që janë të dënuar për këto vepra penale.

SHKARKO APP