Regjistrimet në shkolla, certifikatë vaksinimi për klasat e para
Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe ato të mesme do të startojnë vitin e ri shkollor më 16 shtator ndërsa regjistrimet do të nisin dy javë para fillimit të shkollës. Në dy shtator është dita e parë e regjistrimeve për të gjithë sistemin. Deri në një ditë para fillimit të vitit shkollor, prindërit dhe fëmijët mund të paraqiten pranë shkollave të tyre për t’u regjistruar.
Për të gjithë ata prindër që do të regjistrojnë fëmijët në shkollë, është e nevojshme dorëzimi i disa dokumenteve. Për klasën e parë, prindërve iu duhet që të paraqesin vetëm certifikatën e vaksinimit, ose vërtetimin e vaksinimit nga qendra shëndetësore. Kështu që nëse nuk e kanë ata duhet ta marrin dhe ta paraqesin pranë shkollës së tyre dhe duhet të paraqesin vërtetimin e ndjekjes së kopshtit të fëmijës nëse fëmija ka ndjekur kopshtin dhe çfarë grupi ka ndjekur, grupin e parë, të dytë apo të tretë. Fëmijët që ndjekin klasat e tjera pra e dytë e tretë e kështu me radhë, duhet të paraqesin dëftesën e klasës paraardhëse. Edhe nxënësit e klasës së 10-të duhet të paraqiten në shkollën e zonës së tyre me dëftesën e lirimit.
Nuk janë të pakta rastet që prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre të arsimohen në shkolla që nuk i kap zona e tyre e banimit. Fillimisht, në gjashtë ditët e para të regjistrimit do të kenë përparësi fëmijët e zonës, vetëm nëse do të ketë vende të lira, atëherë do të kenë mundësi edhe fëmijët të cilët nuk i përkasin njësisë administrative ku ndodhet shkolla.