Rekursi i Salianjit, reagon Gjykata e Lartë: Caktimi i gjyqtarit relator në përputhje me ligjin

Gjykata e Lartë reagoi sot pas akuzave të Ervin Salianjit dhe Sali Berishës lidhur me shortin e caktimit të relatorit që do të shqyrtojë rekursin e ish-deputetit demokrat, i cili prej 26 shtatorit 2024 po vuan dënimin me 1 vit heqje lirie, në burgun e Fierit. Përmes një njoftimi për shtyp, Gjykata e Lartë sqaron se në datën 8 janar 2025 është regjistruar çështja penale me palë kërkuese: Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të pandehur: A.V., F.A., J.O., E.S., dhe G.(A.)Xh.

“Përmes regjistrimit elektronik në Sistemin e Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS), që nuk administrohet nga Gjykata e Lartë, por nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, shorti cakton automatikisht një gjyqtar relator për çdo çështje të regjistruar. Për këtë çështje është caktuar nëpërmjet shortit elektronik si gjyqtar relator, anëtarja e Kolegjit Penal, Albana Boksi”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Lartë.

Bazuar në Urdhrin e Kancelarit të Gjykatës së Lartë “Për disa masa organizative lidhur me menaxhimin e çështjeve gjyqësore”, Gjykata e Lartë sqaron se “është e detyrueshme që kur për shqyrtimin e kërkesës për pezullimin e ekzekutimit të vendimit civil/administrativ/penal të regjistruar më parë dhe për shqyrtimin e rekursit të regjistruar më vonë, janë caktuar dy gjyqtarë relatorë të ndryshëm nga sistemi ICMIS, çështja gjyqësore duhet të kalojë në emër të gjyqtarit të caktuar për shqyrtimin e pezullimit të ekzekutimit të vendimit civil/administrative/penal”.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Referuar këtij urdhri dhe për të respektuar përputhshmërinë me praktikën që është ndjekur në të gjitha rastet e kësaj natyre, është kryer kalimi i çështjes për shqyrtimin e rekursit tek gjyqtari Sokol Binaj, i cili është gjyqtari që ka shqyrtuar më parë kërkesën për pezullim të ekzekutimit të vendimit, e regjistruar në datën 1 tetor 2024”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjykata e Lartë nënvizon se mospërmbushja e një veprimi të tillë do të konsiderohej në kundërshtim me rregullat e vendosura për gjyqtarin natyral dhe me standardin e gjykatës së caktuar me ligj. “Ky veprim që kryehet automatikisht nga sistemi elektronik, i cili garanton njëkohësisht edhe për integritetin e tij, ka për qëllim të sigurojë një menaxhim më të mirë dhe më të shpejtë të çështjeve gjyqësore, si dhe transparencë dhe efikasitet në administrimin e drejtësisë”, thuhet në njoftim.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?