Relacioni i SHKB: Kulicaj dhe Burgaj të merren të pandehur

Një relacion hetimor i përpiluar nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, ka mbërritur në prokurorinë e Tiranës ku kërkohet marrja të pandehur dhe dërgimin në gjyq, të dy ish-drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit.

Relacioni i SHKB përfshin ish-drejtorin e Policisë Hysni Burgaj dhe ish-zv/Drejtorin  Agron Kuliçaj, të cilët kanë refuzuar të ekzekutojnë 6 urdhërat e ndalimit për 6 drejtuesit e Gardës së Republikës, të cilët dyshoheshin për vrasjet e 21 janarit.

Në këtë relacion oficerët e SHKB rekomandojnë që çështja ndaj Burgaj dhe Kuliçaj t’i referohet gjykatës për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, para, gjatë dhe pas demonstratës së 21 Janarit.

Megjithatë, hetimet e prokurorisë ndaj dy ish-titullarëve të policisë u përqendruan tek urdhrat e mos ekzekutimi i urdhrave të ndalimit për efektivët e Gardës së Republikës, ku prokuroria kërkonte izolimin e tyre me akuzën e vrasjes.

Kjo çështje është prej rreth një viti nën hetim, ku Burgaj dhe Kuliçaj janë pyetur si persona nën hetim. Të dy ish-zyrtarët e lartë të policisë kanë deklaruar para prokurorëve se nuk kishin kryer asnjë shkelje, veçse e kishin vënë në dijeni drejtuesin e prokurorisë së Tiranës, në atë kohë Sokol Malaj dhe ish-Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, se urdhërat e ndalimit ishin me gabime ortografike dhe për pasojë në atë gjëndje nuk mund të identifikoheshin personat.

SHKARKO APP