RENEA shoqëron dosjet drejt SPAK

Prokuroria e Posaçme, SPAK

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka kërkuar ndihmën dhe asistencën e forcave speciale RENEA për të realizuar transportimin e dosjeve nga godina e ish-Krimeve të Rënda drejt prokurorive në rrethe. Një burim pranë policisë tregoi për gazetën “Si” se për këtë shkak edhe gjatë ditës së Krishtlindjeve, forcat speciale kanë qëndruar në detyrë dhe në dispozicion të SPAK. Disa nga efektivët e RENEA-s që prej të hënës po shoqërojnë me makina të blinduara dosjet dhe fashikujt, të cilat po dorëzohen në prokuroritë e Vlorës, Durrësit, Fierit, Shkodrës, Korçës dhe Gjirokastrës, që janë prokuroritë që kanë edhe fluksin më të madh.

Dosjet që do transportohen

Prokuroria e SPAK llogaritet të mbajë gati 160 procedime penale, ndërkohë që të gjitha çështjet e vrasjeve në familje, gjobëvëniet dhe kultivimi i drogës po përcillen në rrethe. Gjatë javës ish-prokurorët e Krimeve të Rënda kanë dorëzuar në protokoll çështjet me moskompetencë hetimi në SPAK. Madje, për shkak të fluksit, një burim i tregoi gazetës “Si” se për të vënë përpara këtë situatë transitore “u morën borxh” edhe sekretaret e Prokurorisë së Tiranës.

Gati 500 hetime pasurore duhet të përcillen në prokuroritë e zakonshme shpjegon për gazetën “Si” një pjesëtar i administratës në prokurori. Por, me makina të blinduara duhet të shoqërohen vetëm fashikujt që kanë volum dhe përgjime apo veprime hetimore nën zhvillim. Disa dosje sipas burimeve të gazetës “Si” do të përcillen me postë sekrete.

Vështirësitë
Pavarësisht se po raportohet që SPAK ka nisur nga puna, në të vërtetë duhet ende kohë që të kuptohen efektet e Prokurorisë së Posaçme. Ndonëse janë emëruar pranë prokurorisë së kryeqytetit, ende ish-prokurorët e Krimeve të Rënda vazhdojnë në zyrat e vjetra. Një ish-prokuror i Krimeve të Rënda tregon për gazetën “Si” se koha ishte shumë e shkurtër për të kryer inventarizimin dhe më pas të dorëzonim dosjet e qepura në protokoll. “Kjo gjë kërkon kohë, ndaj dhe kam marrë lejen për të dorëzuar çështjet që kisha nën hetim”, shpjegon prokurori. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe disa ish-prokurorë, të cilët nuk janë paraqitur në akuzën e kryeqytetit, por me leje vjetore po zgjidhin çështjen e moskompetencës së dosjeve.

Prokuroria e Posaçme

Njëkohësisht, tetë prokurorët e SPAK, me përjashtim të kryeprokurorit Arben Kraja që hyri në zyrën që mbante Donika Prela, vazhdojnë në të njëjtat zyra që kishin.

Burime të gazetës “Si” parashikojnë që tetë prokurorëve të posaçëm do t’u bashkohen edhe Vladimir Mara dhe Dritan Premçi. Ata mund të kenë statusin si të komanduar dhe jo të emëruar sikurse kolegët e tyre. Ky parashikim për dy prokurorët që nuk u emëruan nga KLP, megjithëse ata kishin kaluar Vetting-un, vjen për shkak të dosjeve që ata kanë nën hetim.

“Bëhet fjalë për dosje sensitive dhe që nisin nga çështjet e zgjedhjeve deri te trafiku me klandestinët drejt USA, të cilat nëse i merr një prokuror tjetër do duhej mjaft kohë, derisa ai njihej me aktet”, shton një nga anëtarët e KLP-së, që parashikon përfshirjen e dy prokurorëve në SPAK me status komandimi. Por nëse nuk apelohet në SPAK, shkon edhe Doloreza Musabelliu, ish-prokurore e Krimeve të Rënda që u konfirmua në detyrë dhe që u rendit e katërta për në SPAK.

Burimi: Gazeta Si

SHKARKO APP