Replika të ashpra mes Bashës dhe Ramës: Leri dërdëllitjet prej rrugaçi, bëj transparencë!

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha janë përfshirë sot në replika të ashpra lidhur me marrëveshjen për detin me Greqinë. Fillimisht Partia Demokratike doli me një qëndrim zyrtar për marrëveshjen, ku argumentonte se institucionet dhe aktorët kryesorë në vend nuk kanë informacion zyrtar për marrëveshjen.
Deklaratës së PD-së, Edi Rama i është përgjigjur me një fjalor tallës dhe pa dhënë asnjë argument mbi kërkesat e logjikshme të opozitës. “Hapu det se vajmedet ka dalë të të mbrojë Lulzimi me PD! Të qash për ata që vazhdojnë e hanë për djathë sapunin e PD apo të qeshësh me këtë Artist që s’e ka shokun për të bërë sikur? Je i madh Lul, sinqerisht, shyqyr s’u more me shitje djathi se do kishim mbetur pa copën e sapunit!”,– shprehet kreu i qeverisë në një postim në Twitter.
Pas këtij reagimi, jo normal për situatën dhe për çështjen e detit me Greqinë, kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar duke kërkuar sërish transparencë.
“Lëri dërdëllitjet prej rrugaçi Edi Rama. Bëj transparencë çfarë po ndodh me negociatat për detin. Historitë me sapun ruaji se do të duhen më vonë…”,- deklaron Basha në një postim në Twitter.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. “Negociatat Lulëzim janë ndalur prej kohësh ,që pas ndryshimit të qeverive në Greqi! S’ka asnjë të re nga ai front, përveç dallgëve të ligësisë e padijes! Po ti mos bëj sikur nxehesh, se s’ta kam unë fajin kur bën sikur s’je ti që e firmose atë marrëveshjen e famshme që rrëzoi GJK! Çfarë kanë qenë për të thënë janë thënë me kohë e me vakt, marrëveshje akoma s’ka, po ti dëgjo mua, gjej ndonjë temë tjetër për teatrin tënd, se me ata që i besojnë kësaj marrëzisë së detit do dalësh edhe më i lagur se në 2017! Ta kam thënë, këtë popull për budalla s’e bëni dot”,- shkruan kryeministri Edi Rama.

Pas këtij reagimi të Edi Ramës, Basha shprehet sërish se qeveria ka detyrim të bëjë transparencë. “Po ta përsëris Edi Rama, bëj transparencë e mos u fshih pas gërrvërreve bajate. As servilët e fundit që të kanë mbetur nuk qeshin me to. Nuk je thjesht i lagur, je i mbytur në detin e marrëveshjeve të fshehta në kurriz të shqiptarëve”,– shkruan Basha.

Lexoni edhe…

SHKARKO APP