Reportazh i Deutsche Welle: Minatorët e Bulqizës pushohen nga puna për shkak të grevës?
Nga Deutsche Welle
Greva e minatorëve të Bulqizës – Në valën e mosmarrëveshjeve me kompaninë “Albchrome”, 39 minatorët e larguar nga puna regjistruan zyrtarisht Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.
“Punoj si minator që në vitin 1995 dhe është hera e parë që pushohem nga puna, pa asnjë motivacion. Jam vetë i katërti, me dy fëmijë që studiojnë në universitet në Tiranë dhe s’kam asnjë burim tjetër të ardhurash”. Prej 25 vitesh, Behar Gjimi nga qyteti i vogël verilindor i Bulqizës, përcillej për në punë nga familja e tij me shprehjen: “U kthefsh shëndoshë e mirë”. Ashtu si ai urohen të gjithë minatorët e këtij vendi, për shkak të pasigurisë që bart puna që bëjnë. Disa vite më parë Behari humbi dy gishtat e njërës këmbë teksa punonte në një prej niveleve më të rrezikshme të galerisë. Por që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, ai u largua nga kompania konçesionare “Albchrome”, me motivacionin se kishte shkelur kontratën individuale dhe rregulloren e brendshme të kompanisë. Më herët ishin pushuar nga puna edhe kolegët e tij Elton Debreshi dhe Beqir Duriçi. I fundit u largua minatori Ali Gjeta.
Më 17 nëntor 2019, 39 minatorë, mes tyre katër të larguarit nga puna, regjistruan zyrtarisht Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. “Ne Sindikatën e krijuam sepse patëm disa përplasje me Sindikatën e vjetër, e cila nuk na përkrahte në kërkesat tona për të drejtat që na mohoheshin, si kërkesat për rritje pagash apo përmirësim të kushteve të punës. Ne përballeshim vetë me drejtorin dhe drejtuesit e kompanisë. I kërkonim ndihmë sindikatës por ajo nuk përballej fare me ta” – nis rrëfimin e tij Elton Debreshi, kryetar i Sindikatës më të re. Vetë kompania e mohon që pushimet nga puna kanë lidhje me Sindikatën. “Masat disiplinore kanë nisur pa u perceptuar fare kjo Sindikatë që ju i referoheni. Debatet, grindjet, përplasjet që mund të ndodhin në kundërshtim me kontratën individuale, në kundërshtim me rregulloren e brendshme, në kundërshtim me disiplinën sjellin pasoja dhe efekte të cilat transmetohen edhe në nëntokë. Si mund ta tolerojmë ne si kompani që rregullorja të shkelet dhe pasojat të ndihen nëntokë, duke sjellë pasoja që asnjë s’do të donte të ndodhin?” sqaron për Deutsche Welle Luan Saliaj, drejtor ekzekutiv i “Albchrome”. Sipas kësaj kompanie, është bërë një hetim nga Inspektoriati i Punës në lidhje me pushimet nga puna të katër minatorëve dhe kanë rezultuar të pastër. Sipas Debreshit, kreut të Sindikatës të sapokrijuar, ligji është në anën e më të fortit. “Këta të pushojnë nga puna, të flakin në rrugë, shkelin ligjin, i kanë të gjithë në anën e tyre”.
Të njëjtin argument, ashtu si kompania, jep edhe Tafë Koleci, kreu i Federatës Sindikale të Punonjësve të Industrisë. “Ne e kemi marrë vesh, siç e keni marrë vesh dhe ju për krijimin e kësaj sindikate pasi nuk ka pasur indicie të mëparshme që ne ta dinim që janë kundërshtarët tanë aty brenda. Në prill të vitit 2019 jemi mbledhur për thyerje disiplinore të disa punonjësve. Nuk kanë qenë vetëm këta të katërt por kanë qenë 10-15 minatorë që kishin bërë mungesa në punë. Ata s’kanë qenë asnjëherë të anëtarësuar në sindikatën time. S’kanë vënë kurrë firmën” – thotë Koleci për DW.
Në bllokun e pallateve që shtrihet poshtë maleve të kromit, banon Ferhat Kurti, minator prej 30 vitesh. 54-vjeçari ka një familje me 6 anëtarë, dhe paga e tij ishte i vetmi burim të ardhurash. Dy vite më parë ai kërkoi statusin e minatorit dhe të drejtat që i takonin. Përgjigjja ndaj kësaj kërkese ishte një urdhër pushimi. Miniera është punëdhënësi kryesor në Bulqizë. Dhe nëse pushohesh nga puna, mundësitë për të bërë një punë tjetër janë thuajse zero. “Më kanë ndëshkuar jashtëzakonisht rëndë. Më pushon drejtori i minierës së Bulqizës në bashkëpunim me Sindikatën e vjetër. U ndjeva shumë keq. Të punosh 30 vjet dhe të flakesh në rrugë…”.
Si pasojë e punës së rëndë e të rrezikshme, Ferhati sot numëron disa operacione në zemër dhe plagë në duar. “Dikur minatorit i thonin ‘Mirëardhsh!’ kur dilte nga shtëpia. Të njëjtin urim i bënte minatori i turnit të dytë, turnit të tretë e me radhë. Edhe sot ashtu urohet, por sot presioni më i madh është nga sindikata, ndërmarrja. Rreziku mbetet, por rreziku më i madh është pushimi nga puna. Këtu ka tragjedi. Në Bulqizë, minatorët janë të lidhur me zinxhirë…” – thotë minatori Kurti.