Reshje shiu dhe bore, probleme me qarkullimin nga moti i keq

Reshjet e borës dhe të shiut që kanë përfshirë prej orëve të para të së enjtes të gjithë vendin, kanë krijuar probleme në qarkullim. Në Rrugën e Kombit nga trashësia e borës, rekomandohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë me zinxhirë. Në Durrës dhe Vlorë nga reshjet e shiut ka pasur probleme me qarkullimin detar. Anijet e peshkimit nuk kanë dalë në det.

Moti i keq që ka përfshirë vendin ka krijuar probleme në verilindje. Në Rrugën e Kombit, në segmentin Kukës-Kalimash, qarkullohet me vështirësi.

Trashësia e borës ka arritur 25 centimetra, ndërkohë që pesë borëpastruese ndodhen në të gjithë aksin dhe pastrojnë rrugën. Policia nuk lejon qarkullimin e kamionëve nëse nuk janë të pajisur me zinxhirë.

Ndërkohë reshjet e borës po bien me intensitet edhe në Tropojë, Has si edhe në Pukë. Aktualisht nuk raportohet për probleme.

Moti i keq është shoqëruar me reshje të dendura shiu në zonën e Ultësirës Perëndimore, në zonën e Nënshkodrës.

Në Durrës përkeqësimi i kushteve atmosferike, shoqëruar me erë si dhe reshje shiu ka sjellë pezullimin e punës në disa sektorë në portin e Durrësit.

Forca e detit që arrin deri në 5 ballë, si dhe shpejtësia e erës deri në 16 metër për sekondë, ka sjellë pezullimin e lundrimit të anijeve të tonazhit të ulët e peshkimit.

Tragetet nuk kanë pasur probleme në lundrim dhe janë ankoruar në kohë në port.

Nga ana e dispecerisë së portit të peshkimit është njoftuar se asnjë anije e këtij sektori nuk do të dalë në det deri në një urdhër të dytë.

Në Vlorë është pezulluar lundrimi detar për shkak të motit. trageti i linjës Vlorë-Brindizi qëndron në radë, pasi nuk mundi të ankorohej për shkak të dallgëve që arrijnë deri në 7 ballë.

Asnjë mjet i vogël nuk lëviz në det. Peshkarexhat dhe anijet e vogla janë ankoruar në vendstrehimet e posaçme.

Reshjet e shiut dhe të borës, pritet të vazhdojnë deri paraditen e së premtes.

SHKARKO APP