Reshje shiu në gjithë vendin, priten përmbytje
Në shumë zona të vendit gjatë ditës së sotme janë regjistruar reshje të madha shiu. Në zonat e larta malore raportohet edhe nisja e reshjeve të borës. Në Durrës, rrugët në disa lagje janë përmbytur. Në Shkodër situata në zonat e përmbytura prej një jave në Obot është përkeqësuar. Ndërsa në Jug, në disa akse kombëtare ka pasur probleme serioze me qarkullimin e mjeteve.
Shkodër, shtohen zonat e përmbytura
Në qarkun e Shkodrës duket se hapësira e zonave të përmbytura do të zgjerohet. I gjithë territori i vendit është përfshirë nga reshje intensive shiu gjatë orëve të fundit dhe sipas Institutit të Gjeoshkencave, reshjet do të shtohen edhe gjatë ditës së sotme duke bërë që prurjet në lumin Drin dhe atë të Bunës të shtohen.
“Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta. Sot (e diel, dt.18) në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të vazhdojë të ketë RRITJE të niveleve të ujit dhe rritje të hartës së përmbytjeve”, thuhet në njoftimin e një dite më parë të IGJEUM.
IGJEUM thotë se do të vazhdojë rritja e prurjeve edhe gjatë ditës së sotme në pjesët malore të basenit duke përfshirë edhe hidrocentralet mbi lumin Drin. “Nesër nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të vazhdojnë të rriten për shkak të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Drin në drejtim të Lumit Buna. Parashikimet e IGJEUM për ditët në vazhdim tregojnë RRITJE TË PRURJEVE DHE NIVELEVE përgjatë datave 20, 21 dhe 22 mars 2018. Pritet ZGJERIM I HARTËS SË PËRMBYTJEVE në pjesën e Nën Shkodrës dhe përmbytjes të zonave periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të Liqenit”, thuhet në njoftim. Në pjesën tjetër të territorit përgjatë ditëve në vazhdim parashikohet rritje e ndjeshme e prurjeve duke rritur rrezikun nga përmbytjet në gjithë pjesët fushore të lumenjve.
Reshjet shkaktojnë probleme në Durrës, disa rrugë nën ujë
Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në qytetin bregdetar të Durrësit. Raportohet se disa rrugë të qytetit janë nën ujë, duke bërë të pamundur kalimin e këmbësorëve dhe njëkohësisht duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Situata më problematike paraqitet në rrugën ‘Aleksander Goga’, kryqëzimi i Stadiumit, rruga ‘Skënderbe’, rruga ‘Taulantia’ dhe tek rreth rrotullimi tek ‘Stacioni i trenit’. Po kështu moti i keq me reshje shiu ka shkaktuar sërish rrëshqitjen e dherave në Currila, e për pasojë bllokimin e rrugës në njërën prej korsive të kalimit për automjetet.
Rreshjet e shiut kanë provokuar rënien masive të dherave në drejtim të segmentit rrugor Univeristet-Currila gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, duke bërë që qarkullimi i mjeteve të devijojë vetëm në një korsi.
Masivi i baltës bllokon për disa orë njërin kah të aksit Tepelenë-Gjirokastër
Moti i keq me reshje intensive të shiut ka shkaktuar probleme në aksin rrugor Tepelenë- Gjirokastër. Rreth orës 03:00 të mëngjesit, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë ka pasur vështirësi të qarkullimit të mjete.
Shkak është bërë një masiv balte i cili ka bllokuar për disa orë njërin kah të rrugës. Momentalisht firma e kontraktuar po punon me te gjitha mjetet. Situatë e ngjashme në Shkallën e Zezë tek Uji i Ftohtë paraqitet sa herë ka reshje shiu.
Po ashtu probleme janë shfaqur edhe ne aksin Këlcyrë-Përmet në Çarshovë, aty ku prej dy ditësh rruga ka qenë e kalueshme, por me vështirësi për shkak të rënies së dherave. Momentalisht edhe në këtë aks po punojnë 3 mjete për pastrimin e rrugës.