Reshjet e dëborës, bllokohet qarkullimi në Qafën e Llogorasë

Qarkullimi i automjeteve në segmentin rrugor që përshkon Qafën e Llogorasë, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë, është bllokuar si pasojë e reshjeve të dëborës që kanë rënë gjatë orëve të natës.

Aktualisht, shtresa e dëborës në shtratin e rrugës ka shkuar në të paktën 15-20 cm, ndërkohë që temperaturat në këtë zonë mësohet të jenë nën “zero” gradë Celsius.

Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, për të rikthyer normalitetin e qarkullimit, në Qafën e Llogorasë kanë shkuar mjetet borëpastruese dhe punonjës të Autoritetit Rrugor, që kanë nisur punën.

Paralelisht me heqjen e dëborës, në shtratin e rrugës po hidhen sasira skorjesh, për të parandaluar rreziqet që mund të shkaktohen nga ngricat, si pasojë e vlerave të ulëta të temperaturave. Ndërkohë, efektiva të policisë rrugore kanë marrë masa për të mos lejuar lëvizjen e mjeteve në këtë aks rrugor, duke informuar qytetarët për situatën.

Është hera e parë në këtë fillim të stinës së dimrit, që bllokohet qarkullimi në segmentin rrugor që përshkon Qafën e Llogorasë, e cila ndodhet në një lartësi prej 1050 metra mbi nivelin e detit.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike dhe rënia e vlerave të temperaturave gjatë ditëve të fundit, u shoqëruan edhe me reshje dëborë që nisën gjatë orëve të natës, duke u gdhirë e mërkurë.

SHKARKO APP