Reshjet e shiut, përmbyten përsëri tokat në Vlorë

 Reshjet intensive të shiut që ranë gjatë dy ditëve të fundit shkaktuan përmbytjen e përkohshme të rreth 300 hektarëve tokë bujqësore në komunën e Novoselës (Vlorë), ndërkohë që rritën ndjeshëm nivelin e ujrave në lumin Vjosë.

Drejtori i Bordit të Kullimit të Qarkut të Vlorës, Apostol Qirko, tha për ATSH-në se, reshjet intensive të shiut krijuan shqetësime të përkohshme, duke përmbytur rreth 300 hektarë tokë bujqësore në komunën e Novoselës, ndërkohë ndikuan edhe në rritjen e nivelit të Vjosës.

Por sot, sipas Qirkos, situata është normale. Tokat bujqësore janë kulluar plotësisht, si rrjedhojë e punës me kapacitet të plotë të hidrovorëve. Po ashtu, prej orës 02.00 të mëngjesit të të shtunës, niveli i ujrave të lumit Vjosë është kthyer në normalitet.

Pak javë më parë, kjo zonë u përmbyt për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosë, pasojë e reshjeve intensive të shiut dhe prurjeve të jashtëzakonshme. 

SHKARKO APP