Reshjet vazhdojnë, banorët e jugut në ankth nga “tërbimi” i Vjosës

Rikthehen reshjet e shiut në Novoselë, në një kohë kur uji sapo kishte filluar të tërhiqej në shtratin e lumit Vjosë, pasi përmbyti me mijëra hektarë tokë, që prej së shtunës.  Dëmet e shkaktuara, sipas banorëve, janë te mëdha. Me dhjetëra shtëpi janë shkatërruar, mijëra hektarë tokë janë përmbytur, ndërsa të mbjellat e këtij sezoni kanë shkuar dëm. Banorë të fshati Fitore, në komunën Novoselë, akuzojnë shtabin e emergjencave për neglizhencë, ndërsa tregojnë se si të mos mjaftonin përmbytjet ata po përballen edhe me mungesën e energjisë elektrike. Sipas banorëve  katastrofa mund te ishte shmangur, nëse do të merreshin në konsideratë sugjerimet e tyre për kanalet ujitëse. Uji ka marrë pothuajse gjithçka i ka dalë para. Balta ka mbuluar sipërfaqe të shumta me të mbjella. Mes lotësh kryefamiljarja Dhurata Miho tregon se po përsëritet historia e vitit 2005, pasi edhe në përmbytjet e atij viti, ndonëse jo në këto përmasa, banorët nuk patën asnjë ndihmë nga shteti. Në disa nga zona të përmbytura uji ka arritur deri në një metër lartësi. Banorët kërkojnë që t’u sigurohet edhe ushqim për bagëtitë, teksa prej një jave e shohin veten të izoluar.

Lumi rrëmben pompat e ujit në Novoselë

Reshjet e shiut kanë nisur sërish dhe problemet janë rikthyer në zonat jugore të vendit. Nga prurjet e shumta të lumit Vjosë në Selenicë të Vlorës, uji ka rrëmbyer pompat e ujit të pijshëm dhe nënstacionin elektrik dhe si pasojë banorët janë pa ujë të pijshëm dhe pa drita. Sakaq, është bllokuar Ura e Mifolit, pasi uji ka dalë në rrugë. Aksi  i  vjetër Levan-Vlore është i mbyllur te Ura e Mifolit, si pasoje e daljes se ujit ne rruge si dhe i bllokuar për momentin është edhe një pjese e aksit  Vlore – Selenicë, te Bishti i Malit, si pasojë e daljes së Vjosës nga shtrati. Raportohet se është dëmtuar Ura e Mifolit në Autostradën Fier – Vlorë. Autoritet janë vënë sërish në alarm, pasi me vazhdimin e reshjeve të shiut, pritet të ketë përmbytje të mëdha. 

SHKARKO APP