“Reuters”: Nënë Tereza, një grua me ndikim në 2000 vjet

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters”, sot i ka kushtuar rëndësi shenjtërimit të Nënë Terezës, që do të bëhet të dielën me 4 shtator. Nobelistja shqiptare, e cilësuar si njëra nga gratë më me ndikim në kishën katolike, shenjtërimin e së cilës e presin qindra mijëra njerëz, është në qendër të shkrimit.

“Fituesja e Çmimit “Nobel” për Paqe, Nënë Tereza, ishte njëra nga gratë më me ndikim në historinë 2000­vjeçare të kishës katolike, e vlerësuar për punën e saj në njërën prej vendeve më të varfra të botës, në njërin prej qyteteve të Indisë, të quajtur Kalkuta.

Qindra mijëra dishepuj të saj presin shenjtërimin e murgeshës së vogël. Ceremonia do të udhëhiqet nga Papa Françesku në sheshin e Shën Pjetrit të Vatikanit”, thuhet në shkrim. Kjo medie citon edhe kryeministrin e Indisë, Narendra Modi, i cili e lartëson figurën e saj si një humaniste që i ka shërbyer vendit të tij për vite të tëra.

“Gjithë jetën e saj, ajo punoi për t’i shërbyer pjesës më të varfër të shoqërisë indiane. Kur një person i tillë shenjtërohet, atëherë është e natyrshme për indianët të ndihen krenarë”, ka thënë Modi, për një radio lokale, cituar nga “Reuters”.

Agjencia i bën edhe një përshkrim të detajuar biografisë së Nënë Terezës, duke vënë në pah faktin se ajo është lindur nga prindër shqiptarë në Shkupin e sotëm, atëherë pjesë e Perandorisë Osmane. /ZËRI/

SHKARKO APP