”Reuters” për kampin e refugjatëve në Shëngjin: Shqipëria po ecën përpara me marrëveshjen me Italinë

Përpara vizitës së kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni në Shqipëri, media “Reuters” thotë se vendi ynë po ecën përpara me marrëveshjen me shtetin fqinj për emigrantët. Autoritetet në portin e Shëngjinit bënë të ditur gjatë fundjavës se qendra e përpunimit të të dhënave është gati. Punimet po ecin me ritme të shpejta edhe në ish-zonën ushtarake të Gjadrit për ndërtimin e kampit ku do të qëndrojnë emigrantët e kapur në det.

Qendrat që do të menaxhohen nga Italia mund të mbajnë maksimumi 3000 emigrantë të huaj. Një pjesë e banorëve të cilët kanë emigruar vetë në shtetet fqinje për shkak të kushteve ekonomike pas rënies së regjimit komunist e mirëpresin vendimin e qeverisë.

“Nuk do të ketë probleme këtu përreth. Unë mendoj se kjo është një gjë humanitare për t’u bërë. Dikush tjetër na ka mirëpritur më parë kur ishim refugjatë dhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Qeveritë mund të mendojnë ndryshe, por mbi të gjitha njerëzit duhet të bëjnë gjëra të mira, kjo është një gjë humanitare”.

Italia do të paguajë për ndërtimin e qendrave, shpenzimet në lidhje me sigurinë dhe kujdesin mjekësor, me një kosto të vlerësuar nga 650 deri në 750 milionë euro gjatë 5 viteve të para.

SHKARKO APP