Rinasi nën masa të rrepta sigurie pas sulmeve, anulohen fluturimet nga Tirana
Pas sulmeve terroriste në aeroportin Ataturk të Stambollit, Rinasi mëngjesin e së mërkurës është zgjuar nën masa të rrepta sigurie.Shefi i Komisariatit të Rinasit shpjegon se masat u rritën pas sulmit në Stamboll, ndërkohë që fluturimet drejt këtij shteti dhe anasjelltas janë anulluar dëri në një vlerësim të dytë.
Pas sulmeve terrorriste të ndodhura mbrëmjen e së martës në aeroportin “Ataturk” të Stambollit, e mërkura e gjeti aeroportin shqiptar “Nënë Tereza” nën masa të shtuara sigurie.
Komisariati i “Rinasit” menjëherë pas sulmit terrorist në Stamboll nisi proçedurën për masa shtesë sigurie pas çdo ngjarje që ndodh në një aeroport europian.
Shefi i këtij Komisariati, Ermal Milori, thekson se këto masa do të vijojnë edhe ditët në vijim ndërkohë që theksoi se udhëtimet e planifikuara Tiranë-Stamboll dhe anasjelltas janë anulluar deri në një vlerësim të dytë.
Ermal Milori: Masat e dukshme janë patrullimet më të shpeshta me qenë antieksplozivë në ambjentet jashtë dhe brenda terminalit. Ndërsa masat e padukshme janë ato masa që konsistojnë në skanerimin akoma të të mirë të bagazheve dhe pasagjerëve që udhëtojnë. Aktualisht janë anuluar ose kanceluar fluturimet nga Shqipëria në drejtim të Stambollit dhe anasjelltas deri në një moment të dytë kur të vlerësohet që siguria është në parametrat normalë për të zhvilluar fluturime të mëtejshme.
Ora News komunikoi me udhëtarët të cilët mëngjesin e së mërkurës do të udhëtonin drejt Stambollit, por që pas ngjarjes së ndodhur fluturimi u anulua. Pasi shprehën ngushëllimet për viktimat në Turqi, ata theksuan se ndihen me fat.
“ Ndihem me fat që nuk e mbylla biletën dje por sot. Në radhë të dytë shpresoj të mos ndodhë diçka tjetër, se besoj se prapë nga Stambolli do të kaloj. Mos të shtohet numri i viktimave”
Stambolli prej vitesh ka qenë një ndër destinacionet kryesore për shqiptarët, por ngjarja tragjike e së martës ka bërë që shumë prej tyre të mos e preferojnë më atë.
“I kam programuar në dhjetor në fakt dhe i ktheva nga Turqia, shkova në Barcelonë. Kisha lexuar diku që do të bëheshin sulme”.
Por për disa qytetarë të tjerë sulmi në aeroportin “Ataturk” nuk duhet të shkaktojë frikë, ndaj dhe ata shprehen se nuk do ndalojnë udhëtimet e tyre drejt Turqisë.
“Jo, pas trimërisë së Kryeministrit të kemi frikë ne?!”
Situata e krijuara në aeroportin e Rinasit ku masat e sigurisë janë të mëdha vjen pas sulmeve terroriste në aeroportin “Ataturk” në Stamboll që la pas një bilanc tragjik, me dhjetëra të vdekur dhe të plagosur.
KOHA JONË SONDAZH

